Prokuroria e Përgjithshme nis verifikimet lidhur me ekstradimin e Nezar Seiti. Verifikimet po kryhen dhe në prokurorinë e Tiranës dhe në atë të Krimeve të Rënda. I akuzuari si financier i grupit kriminal të vëllezërve Habilaj në Vlorë, Seiti u ekstradua dje drejt Italisë.
Një ditë pas ekstradimit të Nezar Seiti drejt Italisë, ka reaguar Prokuroria e Përgjithshme. Zyra e shtypit e Prokurores së Përgjithshme të perkohshme ka njoftuar se do të nisin verifikimet mbi procedurat e ndjekura për ekstradimin e Seitit, i njohur ndryshe edhe si financieri i grupit te Habilajve për trafikun ndërkombëtar të drogës. Ky reagim i Prokurorisë së Përgjithshme vjen pas atij të ministrisë së Drejtësisë një ditë më parë. Dhe po t’i referohemi njoftimit të ministrisë mbi këtë procedurë, rezulton se Prokuroria e Përgjithshme duhet të verifikojë veten. Ministria e Drejtësisë në sqarimin e saj shprehet se ishte njoftuar nga Prokuroria e Përgjithshme se nuk kishte asnjë ndalesë ligjore për ekstradimin e Seitit. Por ndaj Seitit kishte një masë sigurimi arrest me burg nga gjykata e shkallës së parë dhe e Apelit të Krimeve të Rënda, të marra përpara se gjykata e Tiranës të shprehej me vendim për ekstradimin. Gjithsesi, verifikimi i prokurorisë pritet të zbresë edhe tek ministria e Drejtësisë si dhe tek institucionet në varësi të saj, drejtoria e Burgjeve dhe Paraburgimi 313. Sepse edhe juristët e këtyre institucioneve kanë lejuar daljen nga qelitë e paraburgimit të një personi që ndodhej me masë ndaluese në fuqi. Ky është ndër rastet e paprecedentë në drejtësinë shqiptare, ku një i dyshuar për trafik ndërkombëtar drogë në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ekstradohet drejt një vendi tjetër pas është hetuar më parë nga prokuroria shqiptare. Procedimi penal ndaj Nezar Seitit ka nisur nga prokuroria e Krimeve të Rënda në të njëjtën kohë me procedimin ndaj ish ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri. Ndërsa ekstradimi i Seitit u bë të enjten, pikërisht ditën kur prokurori vendosi të zgjasë me 3 muaj të tjerë afatet e hetimit ndaj tij dhe ish-ministrit Sajmir Tahiri.