“5 yjet”: Salvini, i pabesueshëm

0
6

Dy partnerët e koalicionit qeverisës në Itali përfundimisht kanë shprehur mosbesim ndaj njëri-tjetrit. “Lëvizja 5 Yjet” raportohet se po studion mundësinë e një aleance me opozitarët demokratë, pasi e cilësojnë zëvendëskryeministrin Mateo Salvini, “interlokutor të pabesueshëm”. Ky i fundit tha të dielën se një bashkëpunim i tillë do të ishte pabesi më e madhe.

“Lëvizja 5 Yjet” i ka mbyllur derën zëvendëskryeministrit Mateo Salvini, duke e cilësuar partner të pabesueshëm.

Krerët më të lartë, mes tyre kryetari Luixhi di Maio, u mblodhën të dielën në vilën e themeluesit të partisë “5 Yjet”, Bepe Grilo, për të sqaruar pozicionin që do të mbajnë pas fjalimit të kryeministrit, Xhuzepe Konte, për krizën qeveritare, që është parashikuar të martën.

Ndaj kreu të ekzekutivit është kërkuar edhe një mocion mosbesimi nga partia “Lidhja”.

Hedhja në votim është lënë në pritje nga “5 Yjet” dhe “Partia Demokratike”, të cilat po eksplorojnë mundësitë për një koalicion të ri që do e nxirrte grupimin politik të Salvinit jashtë qeverisë.

“Të gjithë ramë dakord se Salvini nuk është më interlokutor i besueshëm,” njoftoi “5 Yjet” në një komunikatë për shtyp.

Nuk vonoi shumë as përgjigjja e Salvinit, i cili u shpreh se pabesia e vërtetë do të ishte një bashkëpunim mes dy kundërshtarëve “5 Yjet” dhe demokratëve.

“Qeveria e të mposhturve do të ishte një mashtrim. Nëse do të duhet të zbresim në shesh për të mbrojtur Italinë, lirinë dhe demokracinë, edhe këtë do ta bëjmë,” deklaroi Salvini nga qyteti i Lukës, ku u prit me protestën e qindra banorëve.

I shqetësuar nga rrjedha e situatës dhe largimi nga pushteti, Salvini së fundmi ka zbutur qëndrimet dhe është treguar i gatshëm të zgjatë aleancën me “5 Yjet” nëse formatohet qeveria, ndërsa mbetet konsistent për idenë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.