7 jetë të humbura nga orteqet e borës në alpe

0
16
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Të paktën 7 persona kanë humbur jetën gjatë fundjavës në Europë, për shkak të dëborës dhe orteqeve që përfshinë pistat e skive në alpet e Austrisë, Gjermanisë dhe Italisë. Dy orteqe të ndryshme vranë dy skiatorë gjermanë në malet Forarlberg të Austrisë, ndërsa një i tretë humbi jetën në rajonin Pongau, në afërsi të Zalcburgut.

Në rajonin e Bavarisë, në Gjermani, një tjetër skiator mbeti i vrarë pasi një pemë u rrëzua në afërsi të lokalitetit Bad Tëlc. Ndërsa një ortek i mori jetën një gruaje të re në malet Tajzenberg të landit bavarez.

Ndërkohë, dy alpinistë humbën jetën në Alpet italiane. Një ekip shpëtimi rekuperoi trupat e tyre në një lartësi prej 2.800 metra në malin Kristaliera, në veri të qytetit të Torinos. Ndërkohë vazhdojnë kërkimet për persona të tjerë që konsiderohen të humbur. Numri i viktimave dhe dendësia e dëborës kanë bërë që autoritetet në shtetet e sipërpërmendura të shpallin nivelin më të lartë të alarmit për rrezikun nga orteqet.

Më të rrezikuarat rezultojnë rajoni i Tirolit Jugor, në Austri dhe zonat në pjesën dërrmuese të Alpeve bavareze. Gjithashtu, skiatorëve dhe alpinistëve u është bërë thirrje që të shmangin aktivitetet sportive dhe për të parandaluar çdo incident autoritetet kanë mbyllur pistat e skive dhe rrugët që të çojnë në to. Sa i takon Italisë, vendi është përfshirë nga një valë anormale i ftohti, me dëborën që ka arritur deri në qytetin e Materës, në jugun e largët. Gjithashtu, dëborë është verifikuar edhe në malin e Vezuvit, në afërsi të Napolit.

 

Zjarr Tv Ad