7 korriku, halli i Sali Berishës dhe hallet e shqiptarëve!

0
147
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Armand Maho

Duhet thënë që në krye të herës se me një pushtet si i Edi Ramës, i pashembullt për nga mënyra e propagandës, manipulimit të opinionit publik, përdorimit të administratës në zgjedhje, mbështetja tek detashmenti i hajdutëve, banditëve, servilëve që punojnë ditë e natë për të mbajtur Ramën në pushtet lëvizjet për rrëzimin e tij vështirësohen shumë.
Kjo është aq e vërtetë, sa ç’është i vërtetë dhe fakti se mundësia më e mirë për ta rrëzuar atë ishte 25 prilli i vitit 2021, që u shpërdorua si pa të keq nga Lulzim Basha për njëmijë e një arsye që tashmë i kemi thënë.

E megjithatë sërish s’mund të justifikohet në asnjë rast apatia që ka ngërthyer një pjesë jo të vogël të shoqërisë. Mbaj mend në të gdhirë të 17 majit 2020 kur pushteti u lëshua më një urrejtje të pazakontë ndaj një godine siç ishte Teatri Kombëtar, më vrastare për ne që protestonim aty ishte indiferenca e një shumice e cila kalonte përbri, dhe si bënte përshtypja as fadroma që shembte muret e ndërtesës historike, as tërheqja zvarrë e një e gruaje me hijab, as dhuna që ushtrohej mbi gazetarin. Veshur me pantallona të shkurtra dhe me këpucë sportive, shumë qytetarë i gëzoheshin kodrave të liqenit artificial, që atë ditë me urdhër të padronit të madh kishte hapur dyert pas më shumë se tre muaj mbyllje. A thua se nga ajo shëtitje varej në fije të perit e gjithë ekzistenca e tyre….

E kështu plaga u mahis. Rama përpara se të merrte lejen  e ambasadorëve për korrupsionin (që në mënyrë të pacipë kanë marrë krah pro tij në kurriz të qytetarëve të këtij vendi), kishte marrë kështu lejen nga ajo pjesë e indiferente për të vendosur “hyqmin” mbi shqiptarë. Zullumet vijuan të trasheshin, pasi barrikada e rezistencës që duhej të ndalonte furinë e tij të korrupsionit mungonte. Prandaj shprehja e Mehdi Malkos “Mos thuaj ç’më duhet mua” thënë në një nga tryezat e organizuara nga kreu i PD-së shumë shpejt do kthehej në sloganin zyrtar të rezistencës së opozitës.

Protestën e 7 korrikut gjithkush duhet ta shohë si betejën e tij. Natyrisht propaganda e Edi Ramës, po përpiqet dhe do përpiqet ta kanalizojë si një “protestë për hallet e Sali Berishës”. Pra te përmirësimi imazhit publik për etiketimin që i ka bërë Departamenti Amerikan i Shtetit. Ose dhe pallavrat e tjera që propaganda hedh pa hesap në ether. Fatkeqësisht pjesë e këtij avazi janë bërë dhe një pjesë e papërfillshme tashmë e atyre që u munduan të mbajnë peng opozitën.
Problemi nuk është këtu.

Berisha dhe në rast se ka ndonjë hall,  ka të bëjë më shumë me imazhin e tij politik, me dinjitetin e cënuar për shumë arsye që sot i dimë të gjithë. Sduhet tw harrojmw se  në rast se halli i Sali Berishës është vendosja në vend e dinjitetit të nëpërkëmbur nga allishverishet e Edi Ramës dhe spindoctors-ave të tij sa majtas djathtas ne kemi problem ekzistencial sot si shoqëri.
Në fund të ditës halli i Sali Berishës  s’mund  të jetë kurrsesi më i madh se hallet tona të mbijetesës. Jemi ne që vuajmë sot nga rritja e paimagjinueshme e çmimeve të naftës, vajit, miellit. Jemi ne që më së shumti e vuajmë korrupsionin galopant që bëhet me taksat tona, me vjedhjen e të ardhmes për fëmijët tanë. Jemi ne që duhet të vuajmë pasurimin e oligarkëve të Ramës në ndërtim, shëndetësi, arsim e kudo.  Shpopullimi dhe ulja drastike e numrit të lindjeve në një masë të tillë si asnjëherë në histori flet se s’do jetë e largët që për shkak të keqqeverisjes ne të shkojmë drejt shuarjes, duke ndjekur një rrugë të mundimshme mes varfërisë, rritjes së çmimeve dhe ankthit çfarë do sjellë e nesërmja.
Të gjitha këto e kanë një shkaktar dhe ai nuk është Sali Berisha! Kush nuk di po ja kujtojmë se ai është larguar nga drejtimi i qeverisë këtu e nëntë vjet të shkuara.

Prandaj 7 korriku  duhet të jetë një mesazh i fortë për kryeministrin.  Duhet që qytetarët e këtij vendi ti tregojnë dhëmbët, të jetë një paralajmërim që nëse mblidhen dhe një herë në atë shesh, nuk do  ketë as arbitër ndërkombëtar që ta mbrojë, as Vuçiç dhe as batutat e tij të lodhuraAskush s’është aq naiv sa të mendojë se Rama do rrëzohet me 7 korrik, ama mesazhi duhet të jetë qartë, dhe grushti që ta shkundë mirë duhet të jetë i fortë. Kaq i detyrohemi familjeve tona. / SYRI.net

Zjarr Tv Ad