Ministria e Brendshme ka reaguar lidhur me akuzat e Partisë Demokratike për tenderin prej 30 milionë eurosh për uniformat e policisë.
Në një deklaratë të gjatë në faqen e saj zyrtare në facebook, Ministria sqaron se “procedura e kufizuar” është një prej llojeve të procedurave të parashikuara nga ligji për prokurimin publik, përmes së cilës çdo operator ekonomik mund të kërkojë të marrë pjesë (Faza e parë – Parakualifikimi), por vetëm operatorët ekonomikë të përzgjedhur në fazën e parë, mund të dorëzojnë oferta teknike dhe ekonomike (Faza e dytë – Ftesa për Ofertë).
Siç e parashikon ligji, vijon Ministria e Brendshme, procedura e kufizuar mund të përdoret atëherë kur është e domosdoshme të bëhet dallimi ndërmjet fazës së përzgjedhjes, ku trajtohet kualifikimi i kandidatëve dhe fazës së përcaktimit të kontratës fituese, ku shqyrtohet oferta teknike dhe ekonomike.
“Procedura e kufizuar (me 2 faza) kombinon disa detyra deri në marrjen e produktit përfundimtar, dhe përdoret për shkak të karakterit shumë të ndërlikuar dhe të veçantë të mallrave e shërbimeve, të cilat mund të furnizohen, sigurohen dhe ekzekutohen nga operatorë ekonomikë, të pajisur me kapacitet të duhur teknik, profesional dhe financiar.Ndarja në dy faza paraqet kosto më të ulëta ekonomike për operatorët ekonomik të interesuar, të cilët nuk janë të detyruar të përgatisin ofertat ekonomike dhe teknike që në fazën e parë (p.sh. kampione/mostra të mallrave), si dhe kosto më të ulëta administrative për organin qendror blerës”.
Të dy fazat e kësaj procedure zhvillohen në rrugë elektronike, përmes platformës së prokurimit elektronik.
Ministria thotë se afati kohor në dispozicion të operatorëve ekonomik për paraqitjen e kërkesave për pjesëmarrje në Fazën e parë – Parakualifikimi, i përcaktuar në dokumentet e tenderit dhe njoftimin e kontratës është 25 ditë, nga 20 ditë që është afati minimal ligjor.
Ministria e Brendshme përgenjështron çdo pretendim, në lidhje me procedurën dhe afatet e saj, si dhe garanton se përzgjedhja e fituesit do të realizohet në përputhje me parimet e mosdiskriminimit, transparencës dhe barazisë në trajtimin e kërkesave dhe detyrimeve ndaj operatorëve ekonomik.
Dje selia blu akuzoi Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, se përmes këtij tenderi po favorizon klientët e qeverisë.