Evropa po plaket, së shpejti kërkesa të larta për fuqi punëtore nga Ballkani dhe vendet e Lindjes

0
27
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shumë shpejt, Europa Perëndimore do të përballet me një kërkesë të lartë për fuqi punëtore, për shkak se, në shumicën e vendeve të zhvilluara, sidomos në Gjermani, popullsia në moshë pune është futur në një cikël rënës, analizoi së fundmi Instituti Ndërkombëtar i Vjenës për Studime Ekonomike.

Por gjithashtu, vendet e Lindjes dhe Ballkani Perëndimor dhe sidomos Shqipëria do të përballen me tkurrje të forcës së punës edhe më shumë se Europa Perëndimore për dy arsye, atë të emigracionit të lartë dhe rënies së numrit të lindjeve. Instituti i Vjenës i bëri thirrje Bashkimit Europian përmes këtij studimi se zgjidhjet për të plotësuar kërkesat për fuqi punëtore në Perëndim nuk duhet të gjenden brenda Europës, duke marrë emigrantë nga vendet e Ballkanit dhe të Lindjes, por jashtë kontinentit.

Studimi gjeti se gjatë pesë viteve të fundit, popullsia në moshë pune nuk u rrit më tej në Holandë, Finlandë, Republikën Çeke, Slloveni, Poloni, Portugali dhe Greqi. Ndërsa popullsia në moshë pune pësoi rënie më së shumti në Letoni, Lituani, Bullgari dhe Rumani, me 1-1.5% në vit.

Në katër vitet e fundit, rritja reale e PBB-së në BE ishte mesatarisht 2.2%, krahasuar me 0.9% në katër vitet e mëparshme. Kërkesa për punë është rritur, duke çuar në rritjen e punësimit dhe uljen e papunësisë. Shumë vende nga BE kanë lehtësuar kushtet e punësimit sezonal dhe kjo po nxit më tej emigracionin nga Ballkani duke e dëmtuar atë edhe më shumë.

Që nga shkurti i vitit 2019, shkalla e papunësisë në Republikën Cceke ishte vetëm 1.9%. Në disa vende të tjera, veçanërisht Gjermania, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar e kanë papunësinë në nivele më pak se 5%. Këto janë rekorde historike.

Për shkak të rënies së forcës së punës, vendet e lira të punës po rriten me shpejtësi, duke sugjeruar një kërkesë në rritje të vendeve të lira të punës në disa vende dhe sektorë. Në shumë vende të BE-së, pjesa e vendeve të lira të punës që nuk mund të plotësohen u rrit dukshëm vitet e fundit. Të dhënat e Eurostat tregojnë se 76.3% e firmave në industrinë hungareze raportuan në tremujorin e parë të 2019 se mungesa e fuqisë punëtore ishte një pengesë kryesore për prodhimin. Pesë vite më parë, vetëm 20% e ndërmarrjeve e konsideronin problem mungesën e fuqisë punëtore. Një situatë e ngjashme raportohet edhe në Gjermani, Poloni, Sllovaki etj.

Studimi lajmëron se mungesa e fuqisë punëtore do të bëhet sistemike, madje edhe për aftësi të ulëta pune, por sfidat mund të jenë akute në sektorë të caktuar. Sondazhet e ndryshme tregojnë se për disa profesione dhe industri specifike, forca e punës po shuhet, pasi edhe edukimi nuk po përshtatet shpejt me kërkesat e tregut.
Këto zhvillime po çojnë në rritje të kostove të punës, sidomos në Europën Lindore.

Sipas Eurostat, kostot totale të punës për ore pune u ritën me 13.1% nga viti në vit në Rumani dhe 11.8% në Letoni.
Nga ana tjetër, Europa Perëndimore sidomos Gjermanisë, janë në fazën kur kërkesa për punë është më e madhe se punëkërkuesit, në këto vende dhe kapaciteti i prodhimit nis e kufizohet.

Sipas skenarit më optimist të prodhuar nga Eurostat, popullsia në moshë pune vijon në rënie nga nivelet aktuale të BE-së në dekadat e ardhshme. Popullsia në moshë do të zvogëlohet në më shumë se 20% deri në fund të vitit 2045. Më të prekura janë vendet e Lindjes. Sipas skenarit bazë, deri në vitin 2045, Lituania do të ketë humbur 43% të popullsisë në moshë pune. Midis vendeve të Europës Jugore, Greqia do të ndëshkohej më keq, duke humbur 31%. Në Europën Perëndimore, në gjendje më të vështirë është Gjermania, e cila do të humbasë 9% të popullsisë në moshë pune deri më 2045.

Për momentin, vendet e BE janë duke lehtësuar kriteret për punësimin sezonal nga vendet e Europës Lindore sidomos Ballkanit. Shqipëria ka rënë më së shumti pre e këtij fenomeni, për shkak se është ende një nga vendet më të varfra në Europë dhe me potenciale të larta emigracioni. Anketa e Gallup International ka gjetur se 60% e shqiptarëve dëshirojnë të ikin nga vendi.

Instituti i Vjenës shprehet se ulja e popullsisë në moshë pune në BE paraqet një sfidë të fortë për rritjen e qëndrueshme të PBB-së afatmesme në shumicën e shteteve anëtare. Mungesat në tregun e punës kanë të ngjarë të dëmtojnë perspektivat e rritjes afatgjatë dhe të dëmtojnë produktivitetin. Këto tendenca mund të kenë ndërlikime të rënda në sistemin e mbrojtjes sociale dhe pensioneve. Ato mund të ndikojnë në modelet e migracionit, brenda Europës dhe nga jashtë kontinentit.

Nëse niveli i rritjes së përgjithshme ekonomike do të ngecë kjo do të ketë ndërlikime për nivelin e borxheve shtetërorë. Instituti i Vjenës rekomandon që të pranohen emigrantë jashtë Europës. Emigrimi brenda Europës nuk është zgjidhje, teksa përfitojnë disa vende, të tjerët humbasin./MONITOR

Zjarr Tv Ad