Më 31 gusht 2019, dita e parë e vitit të ri Hixhri 1441

0
116
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Komuniteti Mysliman njoftoi sot se nesër më 31 Gusht 2019 është dita e parë e vitit të ri Hixhri 1441. Hixhreti, shembull i ripërtëritjes së muslimanit

Muaji Muharrem Hixhri, sipas kalendarit Hënor shënon dhe muajin e parë të tij. Por çdo të thotë Hixhri dhe cili është vendi i tij në Islam?

Ja shpjegimi që jep KMSH-ja:

Viti Hixhri fillon me emigrimin e Hz. Muhamedit (a.s.) nga Meka në Medine. Shumë të dërguar të Allahut (xh.sh.) kanë pasur hixhretin e tyre, si Ibrahimi, Musai, Jusufi, Isai (a.s.), etj. Hixhreti i ka rrënjët që tek Ademi (a.s.) me zbritjen e tij në tokë dhe vazhdon gjithashtu tek vetë jeta e njeriut, e cila është një lloj hixhreti (emigrimi).

Hixhreti i myslimanëve nga Meka në Medine shënohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë Islame.

“Ata të cilët besojnë, emigrojnë dhe luftojnë në rrugën e Allahut, edhe ata që japin strehim dhe ndihmojnë, ata janë me siguri besimtarë të vërtetë. Për ata ka falje dhe shpërblim fisnik.” (Kur’an, 8:74)

Pejgamberi (a.s.) u detyrua të braktisë vendlindjen, të cilën e kishte kapluar injoranca, pabesimi, dhuna dhe errësira. Kështu duhej të gjendej një vend më i përshtatshëm për të shtrirë rrënjët Islami. Bashkë me Pejgamberin emigruan të gjithë muslimanët, duke lënë pas shtëpitë dhe pasurinë e tyre, për një qëllim të vetëm, besimin Islam. Ja kjo ishte sakrifica e tyre, që nuk ndërronin as mallin e pasurinë me Islamin. Kështu që emigrimi, hixhreti, paraqet kulmin e sprovës dhe sakrificës materiale.

Hz. Muhamedi (a.s.) e zgjeroi edhe më shumë nocionin e hixhretit edhe nga ana shpirtërore, duke thënë: “Muhaxhir (emigrant) është kushdo që braktis çdo gjë që e ka ndaluar Allahu dhe përqafon atë që ka urdhëruar Ai.”

Emigrimi nga jeta me mëkate drejt asaj të pastër morale, etike dhe fetare, ky ishte Hixhreti, emigrim tek bota e pastër materialo-shpirtërore e Islamit. Gjurmët që la Hixhreti tek brezat e muslimanëve janë të pashlyeshme. Sepse pikërisht me hixhretin nis epoka e lavdishme e themelimit të bashkësisë Islame, e cila ishte e zhveshur nga paganizmi, idhujtaria, primitivizmi dhe injoranca.

Me hixhretin bota hyri në kontakt me valën e re të Islamit, i përfaqësuar me madhështinë e tij të vërtetë, i çliruar nga të githa forcat e diskriminimit racor e klasor dhe me besimin në një të Vetmin Zot, Allahun (xh.sh.) me të Cilin askush nuk është i barabartë.

Kultura Islame me hixhretin u bë e veçantë dhe e kompletuar, ndërsa ngjarjet e lidhura me këtë rast, do të jetë burim frymëzimi për muslimanët, për harmoni reciproke dhe vëllazërim Islam.

Pikërisht me hixhretin u ngrit dhe u zhvillua shteti Islam i bazuar në Kur’an dhe Sunet, i cili për një kohë të shkurtër e shpërndau drejtësinë Islame në tre kontinente duke u bërë një fuqi kryesore shkencore e kulturore në botë.

Ishte pikërisht hixhreti që Islamin e bëri faktor botëror, ishte fillimi i një epoke të re dhe pikërisht për këtë arsye u vendos që kalendari Islam të fillonte me këtë epokë, në të cilën fillon edhe mëvetësia e muslimanëve në vendimmarrje dhe zbatim të ligjeve hyjnore në parametra shtetëror dhe zyrtar, duke bërë të mundur bashkëjetesën midis kombeve të ndryshëm madje edhe të feve të ndryshme në zemër të shtetit, në Medine.

Historiani francez Lamartin do të thoshte kështu: “Muhamedi lëvizi nga vendi jo vetëm ushtritë, ligjet, perandoritë, popullatat, dinastitë, por edhe miliona njerëz të një të tretës të botës së njohur në atë kohë; për më tepër, ai lëvizi nga altaret, idhujt, idetë dhe shpirtërat.”

Hixhreti është shenjë e jetës së gjallë, asaj krijuese dhe që shkon përpara, duke futur në lëvizje çdo mekanizëm të progresit dhe zhvillimit, duke lënë gjurmë të thella në histori. Prandaj për çdo musliman kalimi dhe hixhreti nga viti i kaluar në vitin e ri hixhri, duhet të jetë një ripërtëritje e forcave dhe mendjes për të shkuar drejt së ardhmes të sigurtë nën gjurmët e Profetit Muhamed (a.s.) dhe me zemrat e mbushura me dashurinë Hyjnore.

Hixhreti nuk është vetëm material, por edhe shpirtëror, prandaj duke qenë i tillë edhe ne duhet të bëjmë hixhret me veprat tona, nga ajo me gabime dhe gjynahe, drejt ideales, drejt botës së pastër morale, duke lënë pas vitet që na shkuan si gjurmë mësimdhënëse.

Hixhreti ka lindur shtetin e parë të lirisë, të ligjeve dhe të kushtetutës, ka lindur burra shteti të cilët pasuan denjësisht Profetin (a.s.), si Ebu Bekri, Umeri, Uthmani dhe Aliu (r.a.).

Viti i Ri Hixhri duhet të jetë një ripërtëritje e besimit në zemrat tona, e aspiratave mbarëbotërore dhe të atyre kombtare shqiptare, për të arritur më të mirën, më të bukurën dhe më të dashurën për Allahun (xh.sh.), për të arritur kështu premtimin që i kemi dhënë Zotit, duke përmbushur aspiratat tona si besimtarë të mirëfilltë muslimanë, për të dhënë kështu shembullin e njeriut ideal në shoqërinë e shek. XXI.

Zjarr Tv Ad