Drejtori në detyrë i Zbulimit Kombëtar, i cili bllokoi publikimin e ankesës së një informatori, ankesë që ndodhet në qendër të një hetimi për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, tha të enjten se punonjësi i paidentifikuar i zbulimit “veproi drejt” kur raportoi për shqetësimet lidhur me mënyrën se si e trajtoi Shtëpia e Bardhë një telefonatë mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit të Ukrainës.
Joseph Maguire tha në dëshmië etij përpara komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve se informatori respektoi ligjin “në çdo hap të procesit” dhe shtoi se situata është e pashembullt. Ai tha se nuk i takon atij të përcaktojë se si ndërvepron Presidenti me udhëheqësin e një vendi tjetër.
Zoti Maguire u tha ligjvënësve se ai kishte vepruar në përputhje me “përgjegjësinë e tij për të respektuar ligjin në çdo hap” ndërsa u përball me pyetjet se pse fillimisht e kishte bllokuar publikimin e ankesës së informatorit.
Ai tha se nuk mund ta bënte publike ligjërisht ankesën sepse “nuk kishte kompetenca të hiqte” privilegjin ekzekutiv mbi informacionin.
“Unë nuk kritikova vendimin e Inspektorit të Përgjithshëm për faktin nëse shqetësimi ishte i besueshëm. Pyetja ime ishte nëse plotësonte kriterin për të qenë një shqetësim urgjent dhe kornizën shtatë ditëshe për të njoftuar për të. Nuk e vë në diskutim gjykimin e tij se kjo ishte një çështje serioze”, tha zoti Maguire.
Zoti Maguire pritet gjithashtu të dëshmojë edhe në komisionin e Zbulimit të Senatit në një seancë me dyer të mbyllura.
Para dëshmisë së tij, komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve bëri publik tekstin e ankesës së punonjësit të zbulimit. “Gjatë kryerjes së detyrave të mia zyrtare, kam marrë informacion nga shumë zyrtarë të qeverisë amerikane se Presidenti i Shteteve të Bashkuara po përdor kompetencat e postit për të nxitur ndërhyrjen e një vendi të huaj në zgjedhjet e vitit 2020”, thuhej në ankesë.
Në ankesë thuhej gjithashtu se Shtëpia e Bardhë u përpoq më pas “të bllokonte” informacionin për të mos lejuar publikimin e tij.
Të mërkurën në mbrëmje, disa ligjvënës të komisionit të Zbulimit janë lejuar të shohin ankimin e informatorit. Përfundimet e tyre janë të ndara sipas linjave partiake. Demokratët thonë se në ankim ka fakte që tregojnë keqbërje nga ana e Presidentit ndërsa republikanët thonë se publikimi i tij nuk do të shkaktonte asnjë shqetësim për presidencën e zotit Trump.
Një nga ligjvënësit republikanë të komisionit të Zbulimit në Senat dha një mesazh për ligjvënësit e të dyja palëve.
“Ka gjëra vërtet shqetësuese këtu”, tha Ben Sasse për gazetarët pasi lexoi dokumentin. “Republikanët nuk duhet thjesht të shtrëngojnë radhët dhe demokratët nuk duhet të kishin përdorur fjalën shkarkim pa ditur asgjë mbi thelbin e ankimit”.
Polemikat nisën javën e kaluar pas njoftimeve në media se një informator i paidentifikuar brenda komunitetit të zbulimit kombëtar ishte alarmuar lidhur me një seri veprimesh brenda administratës Trump, të cilat përfshijnë atë që dihet tashmë, një telefonatë në muajin korrik mes zotit Trump dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy.
Informatori kontaktoi Inspektorin e Përgjithshëm të Zbulimit, i cili e quajti ankesën “serioze” dhe “urgjente”.
Avokatët e informatorit kanë qenë në kontakt me të dy komisionet e zbulimit në Kongres, në një përpjekje për të përpunuar detajet e një takimi të drejpërdrejtë të tij me ligjvënësit e këtyre komisioneve, nëse do të ishte e nevojshme.