Policia e Shkodrës përmes një njoftimi për mediat njofton gjatë ditës së sotme se ka arrestuar një person të shpallur në kërkim, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Bëhet fjalë për ish-shoferin e FNSH-së Ardian Loci, i cili akuzohet se ka dekonsioruar një aksion policie në vitin 2017, dhe për këtë u dënua me 1 vit e 10 muaj burg në Qershor të këtij viti nga ana e Gjykatës.
Loci nuk është një personazh i panjohur, të paktën për mediat, pasi gjatë kohës së arrestimit të tij, ai nuk i pranoi asnjëherë akuzat, dhe do të shpërthente në lot brenda sallës së gjyqit.
“Kam 21 vite shofer në FNSH. I kam shërbyer shtetit me zemër e me mendje. Kam gruan të sëmurë dhe vajzën e sëmurë po ashtu me sëmundje të keqe në kokë.
Kam vajzën tjetër të vogël që s’ka kush ma çon në shtëpi. S’kam marrë asnjë shpërblim. Kam shtëpinë pa pllaka. E ndjej veten shumë të rënduar aq sa të vras veten. Janë akuza te shpifura. S’kam bukë në shtëpi. Edhe një shpërblim që mora kam shlyer borxhet dhe energjinë.
S’kam patur lekë t’i paguaj vajzës ilaçet. Nuk i përkas asaj kategorie. I kam çuar një shoku nje thes miell se s’kishte me çfarë e merrte dhe i thashë mos më thuaj më ashtu se kushedi si merret, në rregull më tha. Si qenka, unë kam folur me një në lagje. Kam qenë në shërbim më përpara dhe sa shkova ne shtëpi duke ngrënë buke më arrestuan. Jam shume i zhgënjyer me këtë që më është bere. Më falni për shqetësimin”, deklaronte Loci në 2017-tën.