Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka shprehur shqetësim për atë që e ka cilësuar “ngacmim” të familjeve të “aktivistëve dhe të mbijetuarve” ujgurë në kampet e internimit, në rajonin Xinjiang të Kinës.
Në një deklaratë të publikuar më 5 nëntor, Pompeo ka thënë se Uashingtoni “vazhdon të jetë shumë i shqetësuar nga raportimet e shumta se Qeveria Popullore e Kinës ka ngacmuar, burgosur dhe ndaluar anëtarët e familjeve të aktivistëve dhe të të mbijetuarve të myslimanëve ujgurë, që kanë bërë rrëfimet e tyre publike”, duke shtuar se në disa raste “abuzimet kanë ndodhur pas takimeve më zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit”, raporton Rel.
“Guximi i mbrojtësve të ujgurëve për të ngritur zërin është shumë i rëndësishëm për zbulim të së vërtetetës rreth abuzimit të të drejtave të njeriut dhe shtypjes së lirive fetare”, është thënë në deklaratë.
Në gusht të vitit të kaluar, Kombet e Bashkuara kanë thënë se rreth 1 milion ujgurë dhe anëtarë të grupeve të tjera etnike myslimane në Xinjiang, janë duke u mbajtur në “qendra kundër-ekstremizmit”.
OKB-ja po ashtu ka thënë se ata janë detyruar të qëndrojnë në kampe të riedukimit, pavarësisht se Kina e mohon një gjë të tillë.