Zaev, Kryeministri i Maqedonisë në një intervistë pak ditë më parë tha: “Unë e pata premtuar në zgjedhje, jo vetting, por atë që e cilësoj njohje e së drejtës për t’u rizgjedhur e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ishte pjesë e programit. Por, kur mora detyrën, BE nuk dha mundësi të nisja procesin. Pse? Sepse ndoshta duhet të ndiqnin si po shkonte në Shqipëri, si do të mbyllej. Ata na thanë se nuk keni njerëz, nuk keni si të plotësoni vendet që do të mbeten bosh. Shqipëria tani nuk ka kapacitete si ti mbushe vendet e zbrazura dhe po funksionon pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë Supreme, gjë që nuk lejohet,” përfundon Zaev.
Ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca me shumë “entuziazëm”ka deklaruar pak kohe më parë për Euronews se: “Reforma në Drejtësi është ndoshta ‘perla e Shqipërisë’, jashtë rajonit apo në botë.”
Po përse “perla e Shqipërisë, që ishte me aq vlerë për gjithë botën nuk u lejua të kryhej as në Maqedoni, një vend ballkanik kaq afër me Shqipërinë edhe gjeografikisht edhe si mentalitet?!
Çfarë është Shqipëria për BE vend eksperimentesh?! Po pse gënjejnë kaq hapur?!
Apo shfrytëzimi i servilizmit dhe komplekseve të inferioritetit të politikës shqiptare është një “aset” interesant për BE?
Po pse nuk u mor në konsideratë nga BE, rekomandimi i Komisionit të Venecias në vitin 2015 që thoshte:
“Komisioni i Venecias evidenton se zgjidhje të tillë radikale (si procesi i rivlerësimit) janë të paarsyeshme në kushte normale, pasi krijojnë tensione të mëdha brenda gjyqësorit, destabilizojnë punën e gjyqtarëve, shton mosbesimin e publikut në gjyqësor, shmang vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre normale, dhe, si çdo masë të jashtëzakonshme, krijon rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga ana e forcës politike që kontrollon procesin.”
Ky skandal duhet të jetë një moment reflektimi për të gjithë. “Yes man”-ët e politikës dhe shtetit të propagandës mund ta çojnë me kënaqësi Shqipërinë në greminë me qëllimin e kapjes dhe BE duhej të kundërvihej fort kësaj. Por BE zgjodhi të kundërten?!
Pasi Shqipëria u dërrmua ekonomikisht me teorinë e “çekut të bardhë” në fillimet e pluralizmit, vazhduam me reformën e “plepave” në drejtësi dhe tani na shesin për “perlë” ate që Maqedonisë i thonë absolutisht mos e bëj se është e dëmshme dhe e papërballueshme për të.
Mjaft më me eksperimente skandaloze në kurriz të Shqipërisë.
Mjaft më me servilizma që pasurojnë zyrtarucë të huaj në kurriz të shqiptarëve.
Mjaft më me pranimin e çdo budalleku si ar te kulluar vetëm se nuk është thënë shqip.
Mjaft më me plaçkitjen e shqiptarëve dhe zhbërjen e shtetit në emër të reformave korruptive dhe që kapin shtetin, por të bekuara nga ca të huaj.
Është koha për të thënë një herë e mirë “Jo”!!!