Shkencëtarët mendojnë se bota nuk po bën sa duhet për të luftuar efektet e ngrohjes globale. Në kuadër të Konferencës së OKB-së për ndryshimet klimatike që po mbahet në Spanjë, profesori Uilliam Munmou tha se sasia e gazrave që lëshohen në atmosferë duhet të ulet çdo vit me të paktën 7.6 për qind gjatë 10-vjeçarit të ardhshëm.
Që temperaturat të mos rriten sipër nivelit 1.5 dhe 2 gradë mbi periudhën e industrializimit, gazrat e dioksidit të karbonit duhet të ulen me 45 për qind deri në vitin 2030 dhe të arrijnë zero në vitin 2050. Sipas Munmoit, politikëbërësve u ka mbetur 11 vite kohë për të vepruar.
Në konferencën dyjavore që po mbahet në Madrid, negociatat kanë mbetur te neni 6 i Marrëveshjes së Parisit për Klimën, ku futet koncepti i tregtimit të ndotjes atmosferike, sipas të cilit një qeveri që nuk përmbush objektivat mund të paguajë një tjetër për të ulur më tej nivelet e veta të ndotjes.
Panelet dhe takimet shkencore në kryeqytetin spanjoll janë të përditshme, sikundër marshimet dhe peticionet për politika të reja kundër fenomeneve ekstreme të ngrohjes globale që po shoqërohet me zjarre dhe përmbytje si asnjëherë.