Një ditë pasi Këshilli i Lartë të Prokurorisë zgjodhi Arben Krajën në krye të SPAK, ky i fundit është prezantuar si drejtues i këtij institucioni. Ka qenë kreu i KLP Gent Ibrahimi ai që prezantoi Krajën para anëtarëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.
Ibrahimi theksoi se nga sot nis një proces i ri në kuadër të reformës në drejtësi, ndërsa theksoi se tashmë SPAK është akronim që do të japë kontributin e tij.
“Sot mbyllet një derë, hapet një tjetër. Ne kemi ndjerë peshën e punës. Tashmë këto institucione janë të krijuara. Tashmë presim që dritat e skenës të zhvendosen atje ku duhet të jenë. Do të japim kontributin tonë për reformën në drejtësi. Jam i lumtur që gjatë një procesi të gjatë, transparent, kemi SPAK-un. SPAK është akronim që ndoshta dhe fëmijët e kanë mësuar. Jam optimist që ky akronim do të japë kontributin. Jam i lumtur që të prezantoj zotin Kraja në këtë detyrë. Falënderoj zonjën Prela për kontributin e saj. Tashmë gjithçka është në vendin e vet. Zoti Kraja është në krye të detyrës. Të gjithë mund të shkojnë të festojnë të qetë festat dhe të nisim nga puna vitin e ri.”, -tha Ibrahimi.
Ndërkohë, drejtuesi i SPAK në fjalën e tij të parë pas marrjes së kësaj detyre pohoi se në këtë institucion do të krijojë një skuadër të fortë, ndërsa shtoi se “nuk është koha për llafe, pasi ka shumë punë”.
“Dy fjalë shkurt se nuk dua ta zgjasë. Kemi shumë punë për të bërë. Falënderoj KLP për këtë proces transparent. Unë thash edhe dje, i falënderoj ata që votuan për mua dhe ata që votuan për kandidatët e tjerë. Do të bëjmë një skuadër të fortë dhe do ta drejtojë me kompetencë. Koha është për punë, nuk kemi shumë llafe. Dhe do fillojmë nga puna.”, pohoi drejtuesi i SPAK.
Prokurorët e parë të SPAK, me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi, janë Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami (Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho. Struktura e Posaçme Antikorrupsion është struktura e posaçme që do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.