Tritoli në makinën e prokurorit, KLP: Atentat terrorist

0
45
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar ashpër pas vendosjes së tritolit në makinën e prokurorit Albert Kuliçi. Në një deklaratë për mediat, KLP shprehet se ‘pa dashur të paragjykojmë përfundimet e hetimit, të cilat i presim me padurim, ajo që ka ndodhur sot në Vlorë duket si një sulm i shënjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij’.

Deklarata e plotë e KLP-së:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi mësoi me indinjatë të thellë për aktin kriminal që ka ndodhur sot, në orët e para të mëngjesit, kundër pronës të prokurorit Albert Kuliçi, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, u mblodh në një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar reagimin ndaj ngjarjes.

Pa dashur të paragjykojmë përfundimet e hetimit, të cilat i presim me padurim, ajo që ka ndodhur sot në Vlorë duket si një sulm i shënjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij.

Si i tillë, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cenojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës.

Për këtë arsye ne e konsiderojmë mbrojtjen e prokurorëve të Republikës si detyrën nr. 1 të Këshillit. Në ushtrim të përgjegjësive tona kushtetuese për mbrojtjen e prokurorëve, në zbatim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Kuliçi dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme.

Gjithashtu, Këshilli iu bën thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen e sotme për të arritur në zbardhjen e saj të plotë dhe të shpejtë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ndjekë me interes punën e grupit posaçëm hetimor deri në zbardhjen përfundimtare të ngjarjes dhe do të mbetet në gatishmëri për kryerjen e detyrave që ia ngarkon ligji. Këshilli i Lartë i Prokurorisë inkurajon Z. Kuliçi dhe të gjithë trupën e prokurorëve të vazhdojnë luftën pa kompromis kundër krimit.

Zjarr Tv Ad