Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar sot samitin në Tiranë për mini-shengenin ballkanik, ku këtë herë ishte i pranishëm edhe Mali i Zi. Në një deklaratë për mediat në Kosovë, Haradinaj tha se Kosova nuk dëmtohet nga ajo që sot ka ndodhur në Tiranë. Ai u shpreh se Kosova është vetvetja dhe aspirata e saj është Bashkimi Evropian. Por i pyetur nga gazetarët, për deklaratën e Ramës, i cili ka thënë se nëse do ishte hequr taksave ndaj Serbisë, Kosova do të kishte marrë liberalizimin e vizave, Haradinaj u shpreh: “Pasi Ramës i dhimbsen kosovarët t’ja heqë atë taksën e Kukësit dhe atëherë i kishim besuar edhe të tjerat” Kur Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës dhe kur të mos mohohjë masakrat atëherë tha Haradinaj mund të ketë bashkëpunim.
“Unë e kam përsëritur disa herë, Edi Rama është vëllai im, është shqiptar. Të majtët dhe të djathtët në Shqipërinë janë motrat dhe vëllezërit e mi. Unë kam dalë kundër ndarjes. Trepça është e Kosovës, pavarësia energjetike ka ndodhur, kemi nënshkruar marrëdhënie me Shqipërinë për unifikim të tregut. Kemi ushtrinë, kemi taksën, por taksa është kundër vlerë për njohje. Kur të na njohë Serbia ne i hapim rrugën për takime bilaterale apo trelaterale, por me qëndrime mohuese të Serbisë deri në mohim të masakrave si ajo e Recakut nuk na mbetet gjë tjetër vetëm ti themi rruga e mbarë pa neve”, tha Haradinaj.