Parlamenti i hapi rrugën lehtësirave fiskale për vitin 2020, për bizneset dhe qytetarët. Por cilat janë këto lehtësira dhe kryesorja kush përfiton më së shumti?
Duke filluar nga Janari 2020, do të aplikohet rivlerësimi banesave për t’i sjellë ato nga vlera historike në vlerën reale të tregut me tatim fitim në masën 2% nga 15%. Përfitues do të jenë 50 mijë pronarë pasurish të paluajtshme, risia për vitin që vjen është se do të përfitojnë edhe ata që i kanë të pa-hipotekuara. Një tjetër lehtësi, është heqja e tatimit prej 15% në rastet e dhurimit të pronave apo truallit bujqësor nga prindi tek fëmija apo ndërmjet bashkëshortëve.
Do të hiqet TVSH-ja për lëndët e para në import që do të përdoren nga subjektet për programin e rindërtimit, si dhe nuk do të paguhet taksa e infrastrukturës për banesat që do të ndërtohen për këtë qëllim. Po ashtu reduktim të shkallës së tatim-fitimit do të ketë për industrinë automotive, në 5%, një industri tërësisht e pazhvilluar në vendin tonë, si dhe është miratuar ulje të ngarkesës me taksa për automjetet luksoze.
Të tjera ndryshime në 2020:
-do të aplikohen incentiva të reja lidhur me tatim-fitimin për sponsorizimet ndaj ekipeve sportive;
-zgjatje nga 3 deri në 5 vjet e periudhës së mbartjes së humbjeve tatimore për disa investitorë;
-shfuqizim i kuadrit rregullator për pajisjes fiskale;
-do të aplikohet ligji i ri për fiskalizimin i shoqëruar me gjoba të rritura për bizneset;
-kufizime të reja për ndryshimin e deklaratave tatimore dhe listpagesave;
-mundësi për kompensim të tepricave kreditore dhe detyrimeve ndërmjet administrative doganore dhe tatimore;
-shkurtim i afateve të njoftimit të kontrolleve tatimore dhe vizitave fiskale.