Nga Bujar Nishani
Sulmet e turpshme, fyese, raciste deri në skizofreni të Kryeministrit rilindës ndaj drejtuesve të shtetit, partive politike, politikës dhe elitës shoqërore në Kosovë, tregojnë degradimin mjeran politik, psikosocial e human.
Në një radiografi politike ky degradim mjeran del qartësisht i shpjegueshëm.Njeriu që rendi i pari, me ngazëllim pas tezës antishqiptare dhe luftënxitëse, për të gjithë Evropën Juglindore, të ndarjes territorjale të Kosovës mbi baza etnike, e madje duke e propaganduar përmes kasnecëve të tij rusofil se kjo ishte ide euro-amerikane, nuk mund të tërhiqet lehtë nga misioni i marrë.
Në çdo rast që misioni i tij demaskohet dhe del në dritën e diellit, ai shfazohet si qënie.
Misioni i rradhës për të na imponuar gozhdimin jugo-sllav me tutor serbomadhinë, është një aventurë mjerane, tragji-komedi e tij dhe e kampit të cilit i shërben.
Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë nevojë për asnjë Jugosllavi bis me apo pa Serbinë mbi krye. Shqiptarët kanë nevojë dhe do të angazhohen vetëm në hapësirën dhe boshtin euro-atlantik. Çdo skenar tjetër jashtë kësaj platforme është kurth, degradim dhe asgjesim i shqiptarëve në trojet e tyre.
Bishtat e këtyre rrjeteve anti perëndim ashtu si dhe në rastin e projektit luftënxitës të ndarjes së Kosovës mbi baza etnike, po mundohen ta paraqesin “rrugën e re” jugo-sllave si ide të projektuar nga SHBA dhe BE.
Fakti që këto bishta janë të njëjtët që kanë minuar sistematikisht dhe bllokur rrugën e integrimit euro-atlantik të shqiptarëve me korrupsionin dhe krimin e organizuar e qartëson edhe më shumë synimin e tyre politik, shprehur edhe me shantazhin për “alternativa të tjera” për të fshehur dëmin që na kanë shkaktuar.
Mashtrimi i parë i rëndë i tyre për idenë amerikane dhe evropiane të ndryshimit të kufijve mbi baza etnike u denoncua dhe demontua së fundmi nga vetë përfaqësuesit zyrtarë të SHBA dhe BE.
Po kaq delirant është edhe guximi rilindës për të shantazhuar BE dhe SHBA, se nëse ata nuk mbyllin sytë ndaj inkriminimit, korrupsionit, trafiqeve, shkatërrimit të demokracisë në Shqipëri, nëse nuk anulojnë Rezolutën e Bundestagut apo nuk tërheqin kushtet e vendeve të BE për të futur vendet e rajonit në rrugën normale të demokracisë, atëhere autokratët e korruptuar të vendeve të Ballkanit kanë si alternativë zëvendësimin e integrimit euroatlantik me dyshekun jugo-sllav.
Deri tani nuk ka asnjë zë zyrtar nga BE se rajoni ynë, përfshirë shqiptarët nuk mund të jenë më pjesë e axhendës së zgjerimit në BE.
Nëse do të ketë, ai duhet të deklarohet qartë dhe vetëm atëhere shqiptarëve do t’u duhet të fokusohen vetëm tek aksi transatlantik por kurrë në mjegullën dhe greminën lindore apo extra jugosllave.
Sot për sot ne kemi garancitë zyrtare dhe publike se integrimi evropian është axhendë e pandryshuar dhe prioritare në rajonin tonë.
Fakti që kjo axhendë është minuar nga korrupsioni i rilindsve, nga lidhjet e tyre me krimin e organizuar dhe inkriminimit të shtetit e shoqërisë, duke tentuar tani dhe shantazhimin e perëndimit me teorinë e “fanarit ndriçues mes maleve të Ballkanit”, nuk na shpërqëndron dot e as nuk na dekurajon të jemi të qartë në horizontin tonë euroatlantik.
Natyrisht që Serbia nuk e ka këtë horizont, por një tjetër, atë euroaziatik. Këtu ndahen qartë sot në shekullin e 21-të vizionet dhe interesat midis shqiptarëve dhe serbëve.
Puthadorët e jugo-sllavisë në Tiranë as nuk do të na imponohen dot e as nuk do të na gënjejnë dot.
Urrejtja e tyre për Kosovën, elitën politike dhe shoqërire të saj është mëse e qartë dhe e kuptueshme tani.
Tradhëtarët nuk kanë kurrë komb, fe e atdhê!
Ata duhen larguar sa më parë nga politikbërja shtetërore dhe e kanë të hapur udhën për në Euroazi.
Ne duhet të rikthejmë sa më parë këtu qindramijëra patriotë, njerëzit punëtorë e të mirë, të larguar me pahir në detin e ftohtë të emigracionit. ????????
#tëringremëshqipërinë