Policia me anë të radarëve të rinj ‘Trucam’ ka pezulluar 176 leje drejtimi në qarqet e Tiranës, Durrësit, Fierit, Lezhës dhe Elbasanit për shpejtësi tej normave të lejuara. Drejtoria e Policisë Rrugore bën me dije se janë shtuar masat në të gjitha rrugët urbane, interurbane dhe rurale për të parandaluar aksidentet rrugore në këto ditë të para të vitit të ri. Gjithashtu janë marë dhe masa të tjera administrative nga të cilat 235 për mosrregullim shpejtësie, ndërsa sa i përket drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit janë pezulluar 41 leje drejtimi si dhe janë arrestuar 9 persona. Po ashtu ka dhe masa të tjera të cilat Policia informon me anë të statusit në Facebook.
STATUSI I PLOTË I DREJTORISË SË POLICISË
Masa të shtuara në të gjitha rrugët urbane, interurbane, por edhe ato rurale për parandalimin e aksidenteve rrugore.
Në Tiranë, Lezhë, Durrës, Fier, Elbasan, radarë Trucam për të monitoruar dhe parandaluar aksidentet rrugore që vijnë si pasojë e shpejtësisë mbi normat e lejuara.
Radar edhe në rrugët e brendshme të qytetit të Tiranës.
Masa edhe në drejtim të parandalimit të aksidenteve rrugore që shkaktohen si pasojë e drejtimit të automjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Kontrolle të shtuara me alkooltestues dragera.
Si rezultat i këtyre masave, gjatë 24 orëve të fundit deri në këto momente, janë pezulluar 176 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara, nga këto: 51 në Tiranë, 47 në Durrës, 49 në Lushnjë-Fier nga njësia Operacionale e Policisë Rrugore, 15 në Lezhë dhe 14 në Elbasan.
Njëkohësisht, në të gjithë vendin janë vendosur 235 masa administrative për mosrregullim shpejtësie, veçanerisht në qendrat e banuara dhe shpejtesi jo më shumë se 20 km/h mbi normat e lejuara.
Si rezultat i kontrolleve me aparatin alkooltestues drager, në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 13 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 9 prej të cilëve në Tiranë, si dhe janë pezulluar 41 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit. Po gjatë kontrolleve janë verifikuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 20 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi, nga të cilët 16 në Tiranë.
Po gjatë kontrolleve janë evidentuar parakalime dhe manovra të rrezikshme në rrugë e në afërsi të kalimit të këmbësorëve, në segmente me fushëpamje të kufizuar etj, si dhe janë ndëshkuar për mosdhënie përparësie këmbësorëve, në të gjithë vendin, 234 drejtues mjetesh, nga të cilët 165 në Tiranë.
Janë evidentuar dhe ndëshkuar 456 drejtues mjetesh, të cilët janë konstatuar duke drejtuar mjetin pa vendosur rripin e sigurimit.
287 drejtues mjetesh duke përdorur aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit.
34 drejtues motomjetesh dhe ciklomotorrësh pa vendosur kaskën mbrojtëse dhe 22 drejtues mjetesh për shkelje të sinjalizimit të ndritshëm (semafor).
24 drejtues mjetesh, nga vende të ndryshme të BE-së, janë konstatuar me shpejtësi mbi normat e lejuara, shumica e të cilëve, duke përfituar nga lehtësirat e parashikuara në Kodin Rrugor, kanë dhënë pëlqimin për të paguar dyfishin e maksimumit të gjobës për shkeljen e konstatuar dhe iu është rikthyer përsëri leja e drejtimit.
Si dhe në të gjithë vendin, po gjatë 24 orëve të fundit, janë vendour 1450 masa për parkime të gabuara e shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore, në vijim të planit të detajuar të masave do forcojë më tej kontrollet me radar, dragera, punonjës civilë, për të bërë të mundur parandalimin e aksidenteve rrugore që vijnë si pasojë e këtyre shkeljeve dhe sigurimin e një transporti rrugor me parametra normalë dhe të sigurt, në të gjithë vendin dhe veçanërisht në akset rrugore që të çojnë në pikat e kalimit kufitar me shtetet fqinje.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të respektojnë sinjalizimin rrugor, për të shmangur aksidentet dhe penalitetet e parashikuara në Kodin Rrugor. Njëkohësit, këmbësorët të tregojnë kujdes gjatë kapërcimit të rrugës nga njëra anë në tjetrën, të kalojnë në vijat e bardha dhe aty ku ato mungojnë, të tregojnë kujdes të shtuar duke respektuar kërkesat dhe normat e sjelljes të përcaktuara në Kodin Rrugor.
Drejtoria e Policisë Rrugore fton qytetarët që të denoncojnë në numrin e emergjencave 112 e në Komisariatin Dixhital çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke u garantuar reagim të shpejtë, ligjor dhe të paanshëm në raport me shkeljet e verifikuara.
# RregulliFillonNgaTy
# MosCenoSigurinëTënde
# MungesaeSigurisëKërkon