6 janari ose dita e Ujit të Bekuar është një festë e rëndësishme për besimtarët ortodoksë. Ajo u kremtua me mesha dhe ceremoninë simbolike dhe hedhjen e kryqit në lumenj e det.
Tetë persona sfiduan temperaturat nën zero dhe u hodhën në Lumin Osum në Berat në ditën e Ujit të Bekuar.
Për të dytin vit radhazi kryqin e kapi 42-vjeçari Alfred Xhimitiku, nga lagjja Goricë.
Në Gjirokastër ceremonia u mbajt në brigjet e Lumit Drino, ujërat e të cilit i sfidoi vetëm një besimtar, ndërsa në Korçë kryqin e nxori nga uji 30 vjeçari Dhimitër Todo.
Në qytetet bregdetare kryqi i shenjtë u hodh në det.
Në Durrës e kapi 30 vjeçari Nikolla Bici, në Vlorë Klodian Shani dhe në Sarandë Telemak Papas.
Ceremoni të ngjashme u mbajtën në të gjitha zonat ku ka komunitete ortodokse.
Besimtarët mbushin ujin të cilin e konsiderojnë të shenjtë pasi besojnë se ai shërben për të shëruar shpirtin dhe trupin.
Dita e Ujit të bekuar kremton pagëzimin e Jezu Krishtit në Ujërat e Lumit Jordan.