Komisioni i Ekonomisë miratoi online dy aktet normative për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.
Miratimi i aktit normativ për shtyrjen e afatit të dorëzimit të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, u jep atyre kohë deri në tetor 2020 për të shlyer detyrimet.
Edhe shtyrja e qirave me dy muaj për individët, studentët dhe bizneset me xhiro vjetore deri në 14 mln u miratua nga deputetët socialistë, ndërsa opozita nuk kishte dakordësinë për këtë akt normativ.
Taksa vendore dhe qiratë do të miratohen të enjten në Parlament, ndërsa ditën e martë do të diskutohen ndryshimet në kodin penal, për të cilin janë të shumtë zërat brenda opozitës parlamentare të cilët janë kundër.
Komunikimi online nuk po shkon edhe aq mirë për shkak se Teknologjia po e vështirëson punën e komisioneve parlamentare, pasi në disa raste deputetet hasin në pengesa për të dëgjuar apo për të parë njëri-tjetrin. Ndërsa në momentet që miratohen aktet normative apo projektligjet mediat nuk kanë mundësi të shohin se cili nga deputetët votojnë pro apo kundër.
Mungesa e berberëve për shkak të mbylljes pas masave parandaluese të marra nga qeveria u vu re edhe në pamjen fizike të deputeteve në Komisionin e Ekonomisë. Për shkak të këtij vendimi deputetët janë transformuar duke marrë pamje tjetër, madje disa prej tyre edhe më trendy.