Partia Demokratike denoncon atë që e quan “një nga aferat më të mëdha të qeverisë në kohën e pandemisë”
Bëhet fjalë për tenderin për blerjen e pajisjeve mbrojtëse spitalore të datës 21 mars.
“Për mbi 200 mijë maska dhe mjete të tjera mbrojtëse, të blera nga qeveria me çmime stratosferike. Do të sjellim prova për një abuzim skandaloz me paratë e shqiptarëve. Ne besojmë se ky abuzim i madh ka detyruar qeverinë të klasifikojë si sekret këta tendera hajdutësh, që e zhdoganojnë një maskë me 3 euro dhe e blejnë me 8 mijë lekë me çmim shumice” u shpreh deputetja e PD-së, Albana Vokshi.
PD thotë se qeveria fsheh me tënderin 3.5 milionë dollarë.
PD thotë se janë blerë maska dhe pajisje të tjera spitalore me dyfishimin e çmimit në disa raste edhe me trefishin e çmimit të zhdoganuar.
Për këtë ajo tregon maskën mbrojtëse që ka blerë në farmaci të njëjtë me atë që është blerë nga qeveria. Dhe nëse në farmaci kjo maskë ka kushtuar 4 mijë lekë, në tender thuhte që është blerë me cmim shumice 8 mijë lekë.
“Sa lekë e ka blerë Qeveria shqiptare këtë maskë 4 mijëlekëshe? Plot, dyfishin e cmimit, me 8 mijë lekë të vjetra. Pra me pakicë blihet 4 mijë lekë, ndërsa më shumicë Qeveria e blen nga kompanitë “FARMA NET dhe EUROMED” me 8 mijë lekë të vjetra. Ky është krim! Dhe kur krimin përpiqesh ta fshehësh me kontrata sekrete, me mungesë transparence, krimi bëhet edhe më i rëndë, sepse provon që është bërë me vetëdije për të vjedhur. Të pranosh të blesh 8 mije lekë një maskë që me pakicë në Farmaci shitet 4 mijë lekë do të thotë vjedhje në mes të ditës” denoncon Vokshi
Nga ana tjetër ish deputeti Enkelejd Alibeaj ka treguar se “kjo vjedhje ka ndodhur edhe me materialet e tjera të blera me këtë tender.”
Denoncimi i Alibeajt- “Qeveria i ka zhdoganuar maskat me 3 euro dhe pastaj i ka blerë me 8 mijë lekë copën, ose me rreth 6.5 euro, Pra, Qeveria i ka blerë maskat me rreth 2 fishin e çmimit real.
I njëjti skandal, rezulton edhe për materialet e tjera në këtë tender: Qeveria ka zhdoganuar me çmim 9.6 euro veshje spitalore me 1 përdorim dhe pas pak ditësh ka blerë me 28 euro 1 veshje. Pra Qeveria i ka blerë me rreth 3 fishin e çmimit real. Po kështu, mbrojtëset me 1 përdorim për sytë Qeveria i ka zhdoganuar me çmimin e tregut 2.9 euro, por i ka blerë me rreth 6 euro copën, 2fishin e çmimit real.
Qeveria ka vjedhur edhe me maskat spitalore një përdorimshe për dhoma izolimi. I ka zhdoganuar me 8 euro dhe ia ka blerë kompanisë së preferuar me dyfishin e çmimit real, me reth 8 euro. Kjo është vjedhje dhe për ne kjo është e papranueshme! Qytetarët janë të lodhur nga kjo qeveri që nuk ndalet duke futur duart në xhepat e qytetarëve edhe në ditët e tyre më të vështira.
Abuzimet kaq të mëdha me taksat e shqiptarëve provojnë edhe një herë se Edi Rama ka para në buxhet, por këto para i ka për të vjedhur, i ka për t’i ndarë me klientët dhe me oligarkët e koncesioneve.
Në emër të Partisë Demokratike, kërkoj sot nga Qeveria, nga Edi Rama personalisht, që të anullojë menjëherë çmimin skandaloz të blerjes së këtyre materialeve, të kthejë në Buxhet paratë e paguara tepër dhe të vjedhura. Ato para, në vend që të shkojnë në xhepat e qeveritarëve të korruptuar dhe klientëve të tyre, t’u shkojnë menjëherë familjeve në nevojë dhe biznesit në krizë.”
Denoncimi u be para ministrise se Shendetesise