Partia Demokratike vijon denoncimin e qeverisë se po përdor kontrata sekrete për pajisjet spitalore antiCOVID për të vjedhur shqiptarët dhe jo për të siguruar shëndetin e tyre.
Ish deputetja e PD-së Albana Vokshi denoncoi sot se për blerjen e respiratorëve me tender sekret ku fituesi ishte paracaktuar.
PD publikoi dokumentet e tenderit sipas të cilit gati një muaj pas shpërthimit të epidemisë, (më 3 prill) qeveria porositi, 54 copë respiratorë. Sipas dokumentit kompania fituese duhet të sillte 20 respiratorë brenda 7 ditëve dhe të tjerat më vonë. Por kjo nuk ndodhi.
“Kontrata u shkel në mënyrë flagrante. Dokumentat qe ne kemi siguruar tregojnë se kompania TBS 96 ka sjellë vetëm 5 respiratorë nga 54. Megjithatë qeveria nuk e ka prishur kontratën me të, siç e detyron ligji në raste të tilla. Ka vetëm një arsye që mund të çojë një zyrtar të mos zbatojë ligjin dhe ky është rryshfeti, korrupsioni, vjedhja. Shifrat e kontratës e faktojnë këtë. Një respirator është blerë nga qeveria me gati dyfishin e çmimit të tregut. Një respirator është zhdoganuar me 7.7milionë lekë dhe është blerë nga qeveria me 14 milionë lekë, pra me çmim gati 2 herë më të lartë”u shpreh Vokshi
PD denoncon se qeveria e Edi Ramës bleu respiratirë me dyfishin e çmimit se kompanisë TBS 96, i ka paguar nga paratë e shqiptarëve 11 milionë euro në 6 vjet dhe i kërkon prokurorisë të hetojë.
“Prokuroria duhet të dalë nga karantina, ku e mban qeveria. SPAK ka mjaftueshëm fakte të çojë para drejtësisë hajdutët e qeverisë që bëjnë që pasurohen si të babëzitur, kur shëndeti dhe puna e qytetarëve janë në rrezik.”