Gjykatat nisin punën të hënën por do shqyrtohen vetëm çështjet e ngutshme

0
93
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Të hënën e 27 prillit, gjykatat do të rifillojnë veprimtarinë e tyre, por në mënyrë të kufizuar.

Këshilli i Lartë Gjyqësor bën me dije se seancat gjyqësore të çështjeve administrative, civile dhe penale të një natyre jo të ngutshme vazhdojnë të jenë të pezulluara në të gjitha gjykatat.

Afatet për ngritjen e padive, për paraqitjen e ankimeve si dhe për kryerjen e çdo veprimi procedural në çështjet administrative, civile dhe penale të një natyre jo të ngutshme vazhdojnë të jenë të pezulluara.

Prioritet kryesor i veprimtarisë së gjykatave do të vazhdojnë të jenë çështjet me natyrë ngutshme.

“Ato do të kryejnë edhe çdo aktivitet tjetër gjyqësor që nuk kufizohet nga fusha e veprimit të Aktit Normativ nr.9, datë 25.03.2020, si dhe që është i mundur të kryhet në kushtet e kufizimeve të vendosura për popullatën në funksion të parandalimit të përhapjes së Covid19. Ju lutemi të paraqiteni pranë gjykatave vetëm nëse keni një çështje të ngutshme, kur diçka e tillë ju është komunikuar prej personelit të gjykatës. Nëse nuk ju kanë kontaktuar nga gjykata, komunikoni me gjykatën nëpërmjet telefonit/postës elektronike (e-mail), përpara se të paraqiteni fizikisht pranë saj” njofton KLGJ.

Të gjitha gjykatat duhet të respektojnë rigorozisht masat e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Në këto masa përfshihen dezinfektimi, pastrimi i rregullt, mbajtja e distancës prej 2 metrash midis të gjithë individëve në gjykatë, si midis personelit gjyqësor, ashtu edhe përdoruesve të gjykatës, marrja e masave për pajisjet mbrojtëse personale, si maska, doreza, etj. Në lidhje me këto, Këshilli po përgatit rregulla të hollësishme.

Një komision i posaçëm është krijuar dhe po punon intensivisht për për hartimin, propozimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të një plani masash për ushtrimin e veprimtarisë e shërbimeve gjyqësore në mënyrën më të sigurt të mundshme gjatë kohëzgjatjes së epidemisë së shkaktuar nga Covid-19.

Qëllimi i hartimit të planit të punës është rikthimi iveprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në mënyrë graduale, duke patur si prioritet mbrojtjen sigurinë e publikut, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të tjerë të gjykatave.

Pas marrjes së vendimeve, Këshilli do vijojë publikimin e përditësimeve përkatëse. Këshilli do të punojë me çdo gjykatë sipas nevojave, si dhe do të përgatisë një plan veprimi dhe udhëzime për të vënë sërish në punë gjithnjë e më tepër elementë të shërbimeve gjyqësore në të gjithë vendin, në rrugën më të sigurt të mundshme.

“Shëndeti dhe siguria e qytetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve tanë është po aq e rëndësishme sa aksesi në drejtësi. Në përpjekje për të gjetur ekuilibrin e duhur midis të dyjave, kërkojmë durimin dhe mirëkuptimin tuaj”.

Zjarr Tv Ad