Brenda 24 orëve janë penalizuar 5 taksistë për shkak të rregullit për numrin e pasagjerëve në makinë. Në protokollin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor lejohen të udhëtojnë dy persona nga e njëjta familje, ndërsa në protokollin e Ministria e Shëndetësisë kjo është e ndaluar.
Rifillimi i punës për taksistët ka nisur me pezullimi ndaj 5 prej tyre për shkak të numrit të klientëve.
“Nga dje deri sot, në 24 orë janë gjobitur 5 taksi që kanë vajtur në Komision, me masa të rënda.”
Kreu i Sindikatës Shqiptare të Taksistëve, Bilbil Cara, shprehet pezullimi i lejes së këtyre taksistëve lidhet me përplasjen e rregullores mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor sa i përket numrit të pasagjerëve në automjet.
“Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor të Shqipërisë thotë se lejohen brenda taksisë dy veta ku njëri është i mitur, është invalid, dmth i sëmurë dhe dy persona të së njëjtës familje. Kurse protokolli i Ministrisë së Shëndetësisë i marrë nga e-Albania e ka që lejohet vetëm një klient në automjet në çdo rast.”
Taksistët kërkojnë zgjidhjen sa më parë të kësaj çështje dhe taksistët e penalizuar të rikthehen në punë.
“Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor ta zgjidhë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe taksitë që janë gjobitur tu kthehen lejet e drejtimit.”
Pavarësisht rifillimit të punës në 27 prill, drejtuesit e taksive shprehen se nuk kanë klientë, pasi qytetarëve nuk u jepet leje më shumë se 2 orë e kjo bën që kjo kategori të mos ketë punë.