Bashkëkryetarja e Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari pas përfundimit të mbledhjes online të Këshillit Politik deklaroi se partitë madhore në Shqipëri marrin vendime në kurriz të shqiptarëve.
Në një prononcim për mediat, Hajdari pohoi se nxiti palët që javën e ardhshme të bien dakord dhe me maxhorancën sa i takon faktit që të zhvillohen mbledhje për Reformën Zgjedhore, e cila sipas saj duhet të jetë konkluduar deri në 31 maj. Ndonëse theksoi se nuk është pro datave, Hajdari pohoi se rëndësi ka produkti në fund.
“Shtyva palët që javën e ardhshme të bjemë dakord dhe me palët kryesore (maxhorancën). E gjitha çështja që është sot, partitë e mëdha, marrin vendime në kurriz të shqiptarëve. Ata zgjidhen në mënyrë jo të drejtë. Ata marrin vendime jo në interes të qytetarë, por në interes të tyre. Nëse jemi në një derexhe të tillë politike dhe sociale, vjen nga ky sistem. Shqiptarët e kuptojnë fare mirë se pse jemi në këtë gjendje. Duhet t’i rikthejmë sovranitetin parlamentit. Unë kam fort besim që do të gjejmë një zgjidhje, një konsensus. Duhet trajtuar në Këshillin Politik, dhe do të gjejmë zgjidhje në ndryshimin e sistemit. Propozova që nëse do kemi një produkt deri në 31 maj, do takohemi 2 herë në javë. Pra të kemi dhe 5 takime brenda majit. Do shikojmë se çfarë ndodh. Nuk jam njeri që vë data. Ajo që ka rëndësi është produkti.”, tha Hajdari.