36 drejtues biçikletash janë gjobitur në 24 orët e fundit në Tiranë për shkak se kanë thyer rregullat e qarkullimit.
Policia ka shtuar kontrollet për biçikletat për shkak se numri i përdoruesve të tyre është rritur ndjeshëm kohët e fundit në Tiranë.
Shkeljet kanë qenë të tipit dalje nga korsia përkatësi, mosrespektimi i semaforit apo mosmarrja e biçikletës për dore. Policia u bën apel çiklistëve të pedalojnë në pistat e rezervuara për to pasi bëhen rrezik për këmbësorët.
POLICIA NJOFTIMI
Tiranë
Pedalo biçikletën në pistat e rezervuara për to, respekto rregullat, për sigurinë tende dhe të tjerëve në rrugë.
Duke konsideruar rritjen e ndjeshme të përdoruesve të biçikletave në kryeqytet dhe faktin që në disa ngjarje rrugore janë përfshirë shumë drejtues biçikletash, rrugorët e kryeqytetit, prej disa ditësh kanë analizuar me kujdes mekanizmat e ngjarjeve rrugore dhe shkaqet e tyre. Me qëllim disiplinimin e lëvizjes së drejtueseve të biçikletave sipas dispozitave të parashikuara në nenin 180 të Kodit Rrugor shqiptar, por edhe parandalimin e ngjarjeve të rënda që vijnë edhe si pasojë e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e biçikletave, janë monitoruar dhe organizuar kontrolle në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit, të cilat edhe pse tashmë janë të pajisura me pista të rezervuara për biçikletat, shumë drejtues biçikletash preferojnë të qarkullojnë në korsitë e lëvizjes së automjeteve apo në korsitë e shërbimit publik, duke u kthyer në një rrezik permanent për veten dhe përdoruesit e rrugës në tërësi.
Krahas monitorimit dhe këshillave ndaj kësaj kategorie, për kujdes të shtuar gjatë përdorimit të rrugës, nuk kanë munguar edhe masat administrative për ata që nuk përdorin pistat e rezervuara, nuk respektojnë sinjalizimin e ndritshëm semaforik, nuk marrin biçikletën për dore dhe si pasojë e kushteve të qarkullimit, bëhen pengesë ose rrezik për këmbësorët.
Vetëm përgjatë 24 orëve të fundit janë konstatuar dhe ndëshkuar 36 drejtues biçikletash.