Në 24 orët e fundit janë shënuar 20 raste të reja me koronavirus edhe në Spitalin infektiv ka pasur shtrime të reja.
Aktualisht në spital po trajtohen 27 të prekur, nga të cilët 6 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar, informoi sot Dr. Flutra Beqo nga Ministria e Shëndetësisë
Po kështu një personel shëndetesor është riinfektuar pas thuajse 3 muajsh.
“Është i infektuar për herë të dytë, si kontakt familjar” informoi Beqo duke shtuar se gjendja e tij shëndetesore është e stabilizuar.
34 te vdekur- Ndërkohë mbrëmë një 85 vjeçare nga Tirana humbi jetën në Spitalin Infektiv. E moshuara ishte konfirmuar me COVID19 dhe me disa sëmundje bashkëshoqëruese. Deri me sot 34 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me COVID19 pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.
Rastet aktive me COVID-19- Në 24 orët e fundit janë kryer 253 testime nga të cilat janë konfirmuar 20 raste pozitive, përkatësisht, 10 raste në Tiranë, 3 raste në Shkodër, 3 në Krujë, 2 në Durrës, 2 në Tropojë. Rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kontakte familjare dhe disa raste të reja në proces hetimi.
Në Laboratorin e Virologjisë në ISHP kanë vijuar testimet për të dyshuar të prekur me COVID19 dhe vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin aktiv të rasteve ne te gjithë vendin, informoi Dr. Flutra Beqo
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 15 qytetarë, duke e çuar në 925 numrin e të shëruarve që nga fillimi epidemisë ndërsa gjithsej janë 1232 të prekur.