8 mijë pronarë në vijën bregdetare të jugut do kenë mundësi të regjistrojnë pronat e tyre. Drejtori i përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame njoftoi nisjen e procesit që do të zgjasë disa muaj, dhe që në finalizim të tij do të regjistrojë duke pajisur me dokumentacion më shumë se 16 mijë pasuri private. Lame tha se pavarësisht problematikës së trashëguar ndër vite, shteti shqiptar është I vendosur për ta finalizuar këtë process që do ti hapë rrugë investimeve në prona që deri tani kanë qenë të pasigurta për shkak të dokumentacionit.
Agjencia e Kadastrës ka hapur procesin e regjistrimit të pronave në bregdetin e jugut. Kreu i këtij institucioni Artan Lame në dalje të posaçme për mediat tha se janë në total 16 mijë e 500 pasuri private të llojeve të ndryshme, me 8 mijë banorë përfitues. Procesi do të zgjasë disa muaj, dhe ka për qëllim nxitjen e biznesit në prona që deri sot kanë qenë me probleme dokumentacioni.
”Procesi do trajtojë edhe 5200 pasuri shtetërore, kryesisht prona të institucioneve publike, të infrastrukturës bujqësore dhe rrugore, prona të njësive vendore, kullota, pyje dhe objekte të tjera të kësaj kategorie. Prej këtij procesi do përfitojnë rreth 8 mijë banorë, rezidentë apo të emigruar të këtyre zonave.”
I gjithë procesi do të ndiqet nga ekspertë të Kadastrës në Tiranë për të shmangur çdo konflikt interesi mes punonjësve dhe pronarëve.
”I gjithë procesi i regjistrimit do të kryhet dhe monitorohet nga ekipet tona nga Tirana. E bëjmë këtë edhe për shkak të ekspertizës më të mirë, por edhe për shkak të shmangies së konfliktit të interesit midis punonjësve lokalë, dhe për të mos përfshirë në proces një drejtori rajonale e cila për fat të keq në muajt e fundit ka shfaqur problematika të mbartura prej vitesh.”
Lame tha se gjatë verifikimit janë vënë re problematika të tilla si mbivendosje, dokumente të falsifikuara, apo edhe vendime gjykatash që e vështirësonin përdorimin e tokës nga pronari i vërtetë.