Gjashtë rastet e reja me Covid 19 në Shkodër kanë bërë që të kyçen dyert e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore si dhe të forcohen masat në poliklinikën e qytetit.
Një prej rasteve i përket një punonjëse të sigurimeve dhe menjëherë është vendosur mbyllja e institucionit deri në një afat të pacaktuar, ndërsa paralelisht është kërkuar të kryhet testimi i stafit.
Rastet e tjera janë persona kontakti të dy sanitareve të poliklinikës të cilat dolën 48 orë më parë të prekura me koronavirus. Drejtori i poliklinikës Egir Lezha thotë se janë marrë masat e duhura ku personeli është pajisur me maska e doreza, ndërsa pacientët nuk lejohet të hyjnë pa këto mjete mbrojtëse dhe pa ju matur temperatura.
Pas rasteve të shtuara ditët e fundit, Shkodra ka shkuar në 25 raste aktive me Covid 19, duke u rikthyer në vend të dytë pas Tiranës për nga numri.