Ambasadorja Yuri Kim sërish ka dhënë një mesazh të fortë, pas kërkesës së PD për të kthyer procesin e zgjedhjes së kreut të BKH-së në pikën zero. Yuri Kim shprehet se kushdo që ëndërron se drejtësia e re nuk do të vijë kurrë, gabohet dhe duhet të zgjohet nga ëndrra.
Sipas Kim ka persona që shpresojnë që BKH nuk do të ngrihet kurrë, por sipas saj ata ‘duhet të zgjohen nga kjo dremitje pasi ëndrra e tyre nuk do të bëhet realitet kurrë’. Kim tha se reforma në drejtësi nuk do jetë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por është e nevojshme dhe të gjithë duhet të ecin përpara në zbatimin e plotë të saj.
Deklaratat e ambasadores së SHBA, vijnë pak orë pasi PD denoncoi zëvendësdrejtoren e Përgjithshme të Policisë Aida Hajnaj, e cila kandidon për postin e Byrosë kombëtare të Hetimit, duke thënë se është e përfshirë në një nga skandalet më të mëdha të Policisë së Shtetit, lirimin e të kërkuarit për trafik droge Naser Gashi.
SPAK ditën e hënë do të zgjedhë kreun e BKH-së, mes katër emrave Aida Hajnaj, Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj të cilët kaluan procesin e vetingut. Pas zgjedhjes së emrit nga SPAK do ia dërgojë KLP-së. Zgjedhja e kreut të BKH kaloi nëpërmjet një procesi ku u përdor edhe makina e të vërtetës dhe ka qënë një proces i monitoruar nga amerikanët dhe partnerët europianë.
Reforma në drejtësi është një investim amerikane dhe zbatimi i saj është një nga prioritete kryesore të ambasadores Yuri Kim, e cila nuk ka hezituar kurrë të flasë apo japë mesazhe të forta kundrejt të gjithë atyre që thurin plane apo përpiqen të dëmtojnë atë, pasi kanë frikë se drejtësia e re do të zbulojë përfshirjen e tyre me krimin dhe korrupsionin.