I moshuari Seri Petanaj u gjet i pajetë një ditë më në banesën e tij në qytetin e Vlorës. Policia fillimisht bëri me dije se në trupin e 91-vjeçarit ishin konstatuar shenja dhune, çka ngriti dyshimet se kemi të bëjmë me një vrasje dhe për pasojë u kërkua autopsia mjekoligjore.
Ndërkohë që në lidhje me ngjarjen e rëndë, kanë reaguar edhe fqinjët e 91-vjeçarit të cilët e cilësojnë si të pabesueshme atë se çfarë ka ndodhur me të moshuarin.
“Unë sot e dëgjova. Ishte burrë i mirë, i nderuar, me djem të mirë. Kur mora vesh sot u habita. Mirë që e grabitën, por pse e vranë? E kishin, lidhur, mbyllur në banjo e kishin qëlluar me thikë.”- tha i moshuari.
Pas vrojtimit të trupit nga mjeku ligjor mësohet se i moshuari është masakruar me thikë. Disa goditje në trup dhe një në fyt janë shkaktare të humbjes së jetës së 91-vjeçarit vlonjat. Pista kryesore ku po heton policia për zbardhjen e ngjarjes është ajo e grabitjes së banesës.
Dyshohet se një person apo disa persona ende të paidentifikuar janë futur në banesën e të moshuarit për ta grabitur. Pasi kanë hasur në kundërshtinë e të moshuarit e kanë qëlluar disa herë me thikë, dukei shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas eleminimit të të moshuarit autorët kanë kryer vjedhjen e banesës, kjo mbështetet nga fakti pasi në pjesë të ndryshme të shtëpisë dhe mobiljeve janë gjetur shenja duarsh me njolla gjaku.
Policia është vënë në kërkim të provave për zbulimin dhe identifikimin e autorit apo autorëve.