Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim selmanaj, ka paralajmëruar se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme nëse Presidenti i ardhshëm nuk do të zgjidhet Ramush Haradinaj, që është edhe kreu i AAK-së.
Me anë të një postimi në facebook, Selmanaj është shprehur se zgjedhja e presidentit të ri varet nga AAK.
Ai ka shtuar se zgjedhjet e parakohshme janë vetëm në të mirë të Vetëvendosjes dhe AAK-së, pasi sipas tij këto dy parti janë më të konsoliduarat në elektorat.
Postimi i plotë:
Rreth Presidentit dhe debatit:
Ne e kemi presidentin e zgjedhur, pavarësisht mendimit personal, unë dhe, besoj, një pjesë dërmuese e popullit janë me të në raport me Gjykatën Speciale, pasi besojmë fuqishëm në luftën e pastër të popullit tonë në fund shekullin 20-të.
Jemi të vetëdijshëm se zgjedhja e Presidentit varet kryekëput nga deputetët e AAK-së ose vendin e dërgojnë në zgjedhje ata që e bllokojnë këtë propozim.
Shkuarja në zgjedhje i konvenon vetëm VV-së dhe AAK-së, të cilat edhe janë të konsoliduara edhe kanë substancën elektorale të ruajtur mirë.
Pra, pavarësisht zërave kundër, nominimi i Haradinajt për President dhe zgjedhja e tij do t’i forconte institucionet dhe do të krijonte kredibilitet të një figure unifikuese për tërë qytetarët e Kosovës.