Presidenti Ilir Meta ka nderuar me tituj të lartë nderi tre historianë shqiptarë.
Meta shprehet se ata kanë dhënë kontribut në ndriçimin e shumë fakteve historike për Shqipërinë dhe sidomos për Luftën e Vlorës.
Po ashtu, Meta thotë se brezat e rinj duhet të dinë më shumë për rrënjët e tyre dhe të mos mendojnë kurrë ta braktisin atdheun e tyre.
Historianët kanë padyshim një meritë të jashtëzakonshme për përjetësimin e vlerave, heroizmit dhe sakrificave të pashembullta të popullit shqiptar në Luftën e Vlorës të vitit 1920, jo vetëm duke hedhur më shumë dritë mbi të vërtetat e patjetërsueshme të së kaluarës sonë të lavdishme, por edhe duke i ndihmuar brezat e rinj të ndërtojnë të ardhmen e tyre mbështetur në mesazhet frymëzuese që vijnë nga historia e kombit shqiptar.
Në vlerësim të kontributit të çmuar të dhënë në këtë drejtim, pata sot kënaqësinë të çmoj me tituj të lartë nderi tre historianët më në zë të Shqipërisë, Prof.Muin Çami, Prof.Dr.Bardhosh Gaçe dhe Prof.As.Dr Bernard Zotaj, që me studimet dhe hulumtimet e tyre kanë lënë pas një trashëgimi tepër të vyer, veçanërisht sa i përket ndriçimit të epopesë së Luftë së Vlorës.
I kemi borxh Shqipërisë, që trashëgiminë e vyer historike, kulturore, patriotike dhe atdhetare që na kanë lënë të parët tanë, ta mbrojmë, ta promovojmë dhe ta pasurojmë më tej, në mënyrë që të rinjtë tanë t’i duan e të ndihen krenarë për rrënjët e tyre dhe të mos e mendojnë kurrë braktisjen por ta ndërtojnë këtu të ardhmen e tyre të sigurtë.