TIRANË– Një situatë e çuditshme po përsëritet në autostradën Tiranë-Durrës gjatë ditëve të fundit. Burime të bëjnë me dije se mbrëmjen e djeshme, pre e grabitësve ka qenë një biznes në autostradë, ku disa persona të maskuar, të veshur si komando kanë lidhur rojen dhe kanë vjedhur para. Deri më tani, lista e objekteve të vjedhura është një shtypshkronjë, një fabrikë e dyerve të blinduara dhe një fabrikë e shitjes dhe prodhimit të materialeve të ndërtimit.
Burime nga Policia e Durrësit, i thanë zjarr.tv se autorët dyshohet se janë banorë të zonës. Policia ka bërë identifikimin e tyre dhe pritet që të bëhet edhe arrestimi. Deri më tani, janë shoqëruar disa persona, të dyshuar si të përfshirë në këto grabitje, por mungesa e besimit e pronarëve tek policia është e madhe.
I tillë është rasti i shtypshkronjës Millenium në kilometrin e 26-të në autostradën Tiranë-Durrës. Pronari i këtij biznesi, Rasim Zekaj, shtetas nga Kosova, mësohet se nuk e ka lejuar policinë që të kryejë veprimet hetimore. Sipas pronarit, është hera e katërt që shtypshkronja e tij vidhet, dhe se grabitësit janë arrestuar tri herë, por është vetë policia që i liron.