29 vite më parë Maqedonia vendosi pavarësinë nga federata jugosllave. Pas të kaluarës së trazuar gati tridhjetëvjeçare, kryeministri Zoran Zaev është optimist se ai do përmbushë edhe ëndrrën e shumë brezave, afrimin së shpejti me Bashkimin Europian.
Maqedonia e Veriut ka kremtuar 29-vjetorin si shtet i pavarur dhe sovran i shpallur me referendumin popullor të vitit 1991.
Festimet e përvjetorit u mbajtën të martën në Shkup nën protokollet anti-covid, me një numër të kufizuar pjesëmarrësish dhe me distanca e masa të tjera parandaluese.
Eventi qendror u organizua në parkun e selisë qeveritare me një fjalim nga shefi i kabinetit, Zoran Zaev, ndërsa presidenti Stevo Pendarovski, iu drejtua qytetarëve me një mesazh virtual.
Dy zyrtarët e lartë e quajtën 2020-ën vit suksesi, kur u zgjidhën mosmarrëveshjet me Greqinë, u realizua anëtarësimi në NATO dhe së shpejti pritet edhe fillimi formal i negociatave me BE-në.
“8 shtatori 1991, do të mbahet mend si dita kur u bashkuam që të përmbyllim shtetësinë tonë. Udhërrëfyes të rëndësishëm strategjikë atëkohë kishim NATO-n dhe Bashkimin Europian, dhe atë rrugë të shtetit civil, të atdheut të lirë të çdo qytetari dhe komuniteti etnik, të ardhmërisë europiane, ne do e vazhdojmë.”
“Nëse ekziston konsensus nacional për këtë me fjalë, tani është i nevojshëm edhe konsensusi real midis pushtetit dhe opozitës. Duke filluar vitin e tridhjetë të pavarësisë sonë, pres, nga ju, qytetarët, të mbeteni të zëshëm dhe të kërkoni vazhdimisht përgjegjësi nga ne politikanët.”
Paraprakisht, në suazën e shënimit të festës, kryeministri Zaev me delegacionin qeveritar vendosi lule në varrezat e ish-presidentëve të 90-ës, Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski, ndërsa një bateri topash hapi zjarrin ceremonial nga barakat ushtarake të kryeqytetit.
Më 8 shtator të 29 viteve më parë, 95 për qind e popullit maqedonas votoi për shkëputjen nga federata e dobët jugosllave dhe afro një muaj më vonë, edhe Kushtetutën e vendit.
Pas tri dekadave përballje me vështirësi ekonomike, me embargon greke, me krizën e refugjatëve nga Kosova dhe me konfliktin ndëretnik të vitit 2001, perspektiva euroatlantike e Maqedonisë u afirmua këtë vit me firmosjen e Marrëveshjes së Prespës me Athinën.
Qeveria shqiptaro-maqedonase në Shkup synon të hedhë hapa konkretë me bisedimet në Bruksel brenda vitit nëse zgjidhen ndasitë e fundit më fqinjin lindor, Bullgarinë.