Ruçi i lan fytyrën Ramës/ Me Kodin Zgjedhor po përmbushim pritshmëritë e shqiptarëve: I falenderoj të dyja opozitat

0
13
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ka nisur në Kuvend, seanca ku do të kalojnë në votim propozimet e socialistëve për Kodin Zgjedhor, të cilat janë pritur me kundërshti nga ana e opozitës jashtëparlamentare, dhe një pjese të asaj që ka mbetur në Kuvend.

Në fjalën e tij, kreu i Kuvendit Ruçi, tha se Kuvendi iu afrua maksimalisht propozimeve të palëve, dhe se socialistët më në fund, po plotësojnë pritshmëritë e shqiptarëve.

Deklerata e Ruçit në Kuvend:

Të nderuar kolege dhe kolegë deputetë, Kjo seancë është stacioni i fundit i një rrugëtimi të gjatë, që nisi me ngritjen e Komisonit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, në  fillim të kësaj legjislature.

Miratimi sot i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe i institucioneve të reja të administrimit të zgjedhjeve, do të ndikojë në mënyrë kapilare dhe pozitive në proceset zgjedhore të ardhshme në Shqipëri.

Me këto ndryshime, Kuvendi iu afrua maksimalisht, natyrisht aq sa e kishte të mundur, alternativave të forcave politike për ndërtimin legjislacionit dhe infrastrukturës zgjedhore, që u shërbejnë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Kryesorja është se; plotësuam pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, të cilët i kanë artikuluar qartë kërkesat për rregulla zgjedhore, që nuk deformojnë dhe anashkalojnë, por garantojnë vullnetin e tyre.

Standardet perëndimore, mbi të cilat mbështetet legjislacioni dhe institucionet e zgjedhjeve që po miratojmë sot, janë të përcaktuara nga rekomandimet e Këshillit Europian dhe Bundestagut Gjerman, dy udhëhartat kryesore nga të cilat udhëhiqet Kuvendi, si garantues i legjitimitetit dhe kontrollit politik dhe ligjor, të  rrugëtimit europian të Shqipërisë.

Askush nuk e kishte menduar se kjo ditë, do të vononte kaq shumë, duke pasur parasysh se Komisionin për Reformën Zgjedhore, e ngritëm që në fillim të legjislaturës.

Vonesa ndodhi, jo se nuk dëshiruam, por nuk mundëm. Miratimii reformës zgjedhore, u vështirësua nga pengesa të paparashikuara. Por asgjë nuk e pengoi Kuvendin e Shqipërisë, të ecë me vullnet e guxim drejt konkludimit të këtij procesi.

Nuk ishte e lehtë të arrinim deri këtu, duke harmonizuar alternativat e shumicës me opozitën parlamentare dhe opozitën jashtë Kuvendit.

Disa herë dhe për mjaft çështje, diferencat midis  projekteve të opozitës parlamentare dhe asaj joparlamentare, ishin më të mëdha sesa diferencat e tyre me projektet e shumicës qeverisëse.

Megjithatë, ju ftoj të shohim përpara. Ne as prisnim dhe as insistojmë të kemi konsensus politik  për gjithçka. Në një republikë parlamentare, konsensusi i plotë dhe për gjithçka është vetëm një ideal, i cili në jetën reale realizohet si  një konsensus parlamentar kushtetues.

Ligjet dhe vendimet që  miratojmë sot, nuk janë  një produkt laboratori, por rezultat i një procesi  politik e parlamentar real, që mbështetet në themele të forta kushtetuese.

Kuvendi, është i bindur se përfitimet nga ligjet që miratojmë sot, janë joproporcionale me kontributet në proces. Por këtë e pranuam me vetëdije, për hir të rikthimit në proces të opozitës jashtëparlamentare.

Si Kryetar i Kuvendit, sot i falenderoj të gjithë, si kontribuesit, ashtu edhe oponentët e këtij procesi dhe të këtyre produkteve.

Falenderoj Komisonin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Komisionin e Ligjeve,  komisionet parlamentare, komisionet e tjera të ngritura nga Kuvendi, si edhe gjithë deputetët për kontributin e tyre në këtë proces.

Falenderoj Këshillin Politik, i cili si një organizëm jashtëparlamentar, kontribuoi në këtë proces si edhe opozitën joparlamentare për hapin e parë të kthimit në sistem. Falenderoj opozitën parlamentare, që pranoi sfidën e bashkëpunimit me opozitën jashtë-parlamentare.

Natyrisht, falenderoj shumicën parlamentare, e cila në këtë proces nuk u soll si triumfatore, por si  një shumicë dorështrirë, e cila disa herë e vendosi me vetëdije veten në pozitën e negociatorit, madje edhe të opozitës.

Ju ftoj të gjithëve, të votojmë pro ligjeve dhe vendimeve që janë në rendin e ditës të kësaj seance. Ju faleminderit.

Kujtojmë se për miratimin e Kodit Zgjedhor kërkohet, shumicë e cilësuar votash për miratim, 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, që janë 84 vota, që Rama ka treguar që mund t’i arrijë dhe me disa blerje, nga radhët e opozitës parlamentare.

Për këto ndryshime Ramës, do t’i mjaftonte Myslim Murrizi dhe grupi i tij, ndërsa i pari ka dhënë sinjale dakordësie që në Komisionin e Ligjeve, ku votoi pro në parim për ndryshimet pas tolerimeve të socialistëve, për pragun natyral prej 1%, si dhe mundësinë që kryetarët e partive, të mund të vetëkandidohen, në katër qarqe të ndryshme dhe më pas të zgjidhen.

Nga ana tjetër anëtarët e tjerë të opozitës parlamentare, kujtojmë këtu Rudina Hajdarin, Ralf Gjonin apo Andi Përmetin, që janë shprehur kundër amendimeve që PS i ka bërë Kodit Zgjedhor, ku sipas tyre shmang hapjen reale të listave, që ka qenë një kërkesë e kahershme e tyre, si dhe bie ndesh me ndryshimet Kushtetuese që kaluan në Kuvend në 30 Qershor të këtij viti.

Pavarësisht kërkesës së vazhdueshme nga ana e PD-së dhe LSI-së, që t’i drejtohen OSBE-OHDIR për koalicionet parazgjedhore, që kërkojnë t’i mbajnë në fuqi, PS është treguar e palëkundur në këtë pikë, që duket se është dhe thembra e Akilit dhe për ndryshimet Kushtetuese, që u diskutuan dhe u miratuan në një periudhë të shkurtër kohore.

Edhe pse nuk kanë drejtuar gishtin nga fajtori, selitë diplomatike në vendin tonë, nga ajo amerikane te ajo britanike e gjermanike, kanë kërkuar vazhdimisht që të respektohet marrëveshja e 5 Qershorit, e arritur në Këshillin Politik me negocimin e gjatë të Yuri Kim. Kjo e fundit, duket se tashmë nuk mund ta thotë qartë, se në fushën e kujt do të jetë topi, ndërkohë që në zvarritjet për të arritur te 5 Qershori, bënte përgjegjës drejtpërsëdrejti asokohe Lulzim Bashën.

Kreu i qeverisë Rama, tha dje në një komunikim për gazetarët, se Kodi do të kalojë në Kuvend, dhe në rast se merr 84 votat e nevojshme, ai hyn në fuqi dhe askush nuk mund ta kundërshtojë, dhe të dalë mbi Kuvendin.

Mbetet për t’u parë seanca e sotme, nëse opozita që mbajti karriget në Kuvend, do të arrijë të jetë në lartësinë që e kërkon momenti, apo do të bëhet palë e pazareve të radhës, për të siguruar me formula, qoftë edhe ndonjë mandat në zgjedhjet e ardhshme të Prillit.

Zjarr Tv Ad