Shpërthimi i Maliqit në Kuvend: Kjo quhet një seancë e turpshme dhe e pështirë/ Do të tërhiqem nga politika nëse…

0
9
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në një kohë kur mazhoranca kërkon që të kalojë sot në Kuvend, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, deputeti Lefter Maliqi e ka konsideruar seancën e sotme, të turpshme. Në një fjalim me doza të forta nga selia e Kuvendit, Maliqi tha se në rast se PS fiton zgjedhjet e 25 Prillit, megjithë makinacionet që është duke bërë, vetë ai do të tërhiqej përfundimisht nga politika.

“Sot një seancë turpi, e pështirë, çfarë do që të bëjnë me ndryshimet në Kodin Zgjedhor tregojnë frikën e tyre, ku janë këta që morën teprisë dhe timonin, këta që kishin gjysmën e parlamentit, pse ndryshojnë koalicionet, pse nuk i hapën listën, pse kanë frikë se parlamentin, bandat i kanë?

Ju sot po gënjeni dhe po mashtroni të gjithë shqiptarët, po shkelni marrëveshjen e 5 qershorit, po mbyllni Shqipërinë, por çfarë do që të bëni fitorja do jetë e jona. Nëse nuk fiton opozita e bashkuar, unë do largohem përfundimisht nga politika”, tha Lefter Maliqi.

Kujtojmë se për miratimin e Kodit Zgjedhor kërkohet, shumicë e cilësuar votash për miratim, 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, që janë 84 vota, që Rama ka treguar që mund t’i arrijë dhe me disa blerje, nga radhët e opozitës parlamentare.

Për këto ndryshime Ramës do t’i mjaftonte Myslim Murrizi dhe grupi i tij, ndërsa i pari ka dhënë sinjale dakordësie që në Komisionin e Ligjeve, ku votoi pro në parim për ndryshimet pas tolerimeve të socialistëve për pragun natyral prej 1%, si dhe mundësinë që kryetarët e partive të mund të vetëkandidohen, në katër qarqe të ndryshme dhe më pas të zgjidhen.

Nga ana tjetër, anëtarët e tjerë të opozitës parlamentare, kujtojmë këtu Rudina Hajdarin, Ralf Gjonin apo Andi Përmetin, që janë shprehur kundër amendimeve që PS i ka bërë Kodit Zgjedhor, që sipas tyre shmang hapjen reale të listave, që ka qenë një kërkesë e kahershme e tyre, si dhe bie ndesh me ndryshimet Kushtetuese që kaluan në Kuvend në 30 Qershor të këtij viti.

Pavarësisht kërkesës së vazhdueshme nga ana e PD-së dhe LSI-së, që t’i drejtohen OSBE-OHDIR për koalicionet parazgjedhore, që kërkojnë t’i mbajnë në fuqi, PS është treguar e palëkundur në këtë pikë, që duket se është dhe thembra e Akilit dhe për ndryshimet Kushtetuese, që u diskutuan dhe u miratuan në një periudhë të shkurtër kohore.

Edhe pse nuk kanë drejtuar gishtin nga fajtori, selitë diplomatike në vendin tonë, nga ajo amerikane te ajo britanike e gjermanike, kanë kërkuar vazhdimisht që të respektohet marrëveshja e 5 Qershorit, e arritur në Këshillin Politik me negociimin e gjatë të Yuri Kim. Kjo e fundit duket se tashmë nuk mund ta thotë qartë se në fushën e kujt do të jetë topi, ndërkohë që në zvarritjet për të arritur te 5 Qershori, bënte përgjegjës drejtpërsëdrejti asokohe Lulzim Bashën.

Kreu i qeverisë Rama tha dje në një komunikim për gazetarët, se Kodi do të kalojë në Kuvend, dhe në rast se merr 84 votat e nevojshme, ai hyn në fuqi dhe askush nuk mund ta kundërshtojë, dhe të dalë mbi Kuvendin.

Mbetet për t’u parë seanca e sotme, nëse opozita që mbajti karriget në Kuvend, do të arrijë të jetë në lartësinë që e kërkon momenti, apo do të bëhet palë e pazareve të radhës, për të siguruar me formula qoftë edhe ndonjë mandat në zgjedhjet e ardhshme të Prillit.

Zjarr Tv Ad