Grevistët e Ballshit, kanë marshuar sot në drejtim të ambienteve të Rafinerisë, duke hapur me forcë derën e Uzinës, duke kaluar kordonin e krijuar nga rojet private. Njësoj si dje kërkesa e tyre, është që të marrin librezat e punës, ndërkohë që një përfaqësues i tyre, është duke vijuar ditën e 17-të të grevës së urisë.
Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve Sokol Dautaj, kërkoi një reagim të menjëhershëm nga qeveria e Edi Ramës, ndërsa theksoi se; rafineria nuk është pronë e asnjë kompanie, por e shtetit, dhe të gjithë atyre punonjësve që kanë derdhur djersën për mbajtjen e saj në këmbë.
“Duhet të reagojnë një orë e më parë. Kjo është një tallje e madhe. E bëmë këtë veprim sot, që të mos dalin më në media dhe të thonë privat privat. Ku është privati? Këta kanë marrë një urdhër për të mos i nxjerrë zbuluar. Këta thonë le të vdesin këta naftëtarë në grevë urie. Ndoshta do fillojmë të marrim menaxhimin e terrenit”, u shpreh Dautaj para mediave.