Spanja shpalli për herë të tretë gjendjen e jashtëzakonshme dhe urdhëroi një mbikëqyrje gjatë natës në të gjithë vendin, me shpresën e parandalimit të përhapjes së virusit Covid-19.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez tha se qeveria e tij po përdor gjendjen e jashtëzakonshme për të vendosur një shtetrrethim nga ora 11:00 e natës deri në 6 të mëngjesit, në të gjithë Ishujt Kanarie.
“19 udhëheqësit rajonalë të Spanjës do të kenë autoritet të caktojnë orë të ndryshme për shtetrrethimin për sa kohë që ato janë më të rrepta, të mbyllin kufijtë rajonalë për të udhëtuar dhe të kufizojnë grumbullimet e njerëzve. Realiteti është se Evropa dhe Spanja janë zhytur në një valë të dytë të pandemisë,” tha kryeministri Sanchez pas takimit me kabinetin e tij.
Ai shtoi gjithashtu do t’i kërkonte Parlamentit këtë javë, që të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për gjashtë muaj, deri në maj.
Gjendja e jashtëzakonshme i jep qeverisë kombëtare kompetenca të jashtëzakonshme, duke përfshirë aftësinë për të kufizuar përkohësisht liritë themelore të garantuara në Kushtetutën e Spanjës, siç është e drejta për lëvizjen e lirë.
Qeveria e Spanjës tashmë ka shpallur dy gjendje emergjente gjatë pandemisë. I pari u deklarua në Mars, kur në të gjithë vendin njerëzit u mbyllën nëpër shtëpitë e tyre.
E dyta hyri në fuqi për dy javë në Madrid, duke detyruar udhëheqësit rajonalë të kryeqytetit që të vendosnin kufij për udhëtimin e banorëve, për të ngadalësuar një shpërthim të pandemisë.
Disa gjykatës kanë refuzuar përpjekjet për të kufizuar lëvizjen në rajone të caktuara, duke shkaktuar konfuzion në publik.
Zyrtarët qeveritarë në të gjitha nivelet ishin të rezervuar për të imponuar një mbyllje tjetër të plotë të njerëzve nëpër shtëpi dhe mbylljen e industrisë, duke pasur parasysh gjendjen e dobësuar të ekonomisë së Spanjës, e cila është zhytur në një recesion dhe papunësia po rritet gjatë muajve të fundit.
Spanja këtë javë u bë vendi i parë evropian që kaloi 1 milion raste me Covid-19 të regjistruara zyrtarisht. Por Sánchez tha në një deklaratë zyrtare se shifra e vërtetë mund të jetë më shumë se 3 milion, për shkak të boshllëqeve në testime dhe faktorë të tjerë.
Ditën e premte Spanja raportoi pothuajse 20,000 raste të reja ditore dhe 231 vdekje të tjera, duke e çuar numrin e vdekjeve gjatë pandemisë në 34,752.