Kryeministri Edi Rama ka reaguar përsëri në lidhje me protestën e qytetarëve për humbjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, nga efektivi i policisë.
Rama ka shkruar në rrjetet sociale, që protestuesit ta harrojnë largimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.
Gjithashtu Kryeministri shkruan se; Policia e Shtetit as do merret peng, as do lëkundet nga politika e vjetër e nga dhunuesit e nxitur prej saj. Sipas Ramës, shantazhet dhe keqtrajtimi ndaj policisë, nuk kanë lidhje as me lirinë as me demokracinë.
“Kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se ndryshe do djegin e shkatërrojnë? Ta harrojnë! Gabon shumë kush kujton se qytetaria e ministrit të brendshëm është dobësi dhe harron se ky shtet është i qytetarëve jo i barbarëve! Pushteti merret me votë jo me djegie! Policia e Shtetit as do merret dot peng, as do lëkundet dot nga politika e vjetër e dhunës e nga dhunuesit e nxitur prej saj! Policia e Shtetit nuk është një polic që vrau e që sot është në duart e drejtësisë dhe kush nuk do të respektojë ligjin do përballet me forcën e ligjit! Ne nuk do të lejojmë askënd që të rrënojë çka është ndërtuar me mund e me punë të madhe dhe Policia e Shtetit është një nga shembujt e ndryshimit, që vazhdon me mundin e shumë njerëzve çdo ditë! Shantazhet dhe dhuna ndaj policisë nuk kanë lidhje as me lirinë as me demokracinë“, ka shkruar Rama në Twitter.