Historiani Neritan Ceka thekson se Rama flet me gjuhën e një politikani si para viteve 1990, duke shtuar se administrata e policisë është rrumpallë.
“Protestat e rinisë treguan një pjekje demokratike. Kryeministri tha se protestat janë nxitur nga politika, me të njëjtën gjuhë si në vitin 1990, duke i etiketuar si “elementë dekadentë”. Policia përdori dhunë ndaj protestuesve, duke sulmuar edhe demonstruesit paqësorë.
Tregohet se ka pasur dhunë në ambientet e komisariateve. Janë ndaluar më shumë se 200 protestues. Ka edhe të ndaluar pa asnjë shkak, duke parë që të gjejnë prova. Administrata e policisë është rrumpallë”, tha Ceka.
Neritan Ceka theksoi se duhet që të kemi një reformim të policisë.
“Dorëheqja e ministrit të Brendshëm ishte e ligjshme. Kjo polici është politike. Këta janë njerëz të Rilindjes, që veprojnë me arrogancën që karakterizon Rilindjen. Kemi të njëjtën polici, që edhe pas largimit të ministrit vepron dhunshëm. Duhet të reformohet policia. Kjo polici mund të bëjë çdo gjë.
Është ajo polici që dërgoi vendin në kaos më 1997. Nëse kjo maxhorancë vazhdon kështu, do e çojë vendin në greminë. Këta janë restaurim i pushtetit të para viteve 1990. Janë bijtë dhe nipërit e atyre që u larguan nga pushteti para viteve 1990”, u shpreh Ceka