Zhdukja e 19-vjeçares shqiptare Artemis Vasili në Greqi, vazhdon të mbetet misterioze.
E reja është deklaruar e humbur, që prej 16 tetorit 2020, teksa për herë të fundit u kishte thënë familjarëve se po shkonte në një intervistë pune.
Mediat greke, raportojnë se familja e së resë, është futur në panik kur janë lajmëruar se është gjendur një trup i seksit femër, pa shenja jete në një valixhe. Por, çështja është sqaruar më pas nga autoritetet policore greke, teksa kanë konfirmuar se; trupi i përket një femre 38-vjeçare kineze.
Ndërsa hetimet vijojnë, avokati Anastasios Dougas që po ndjek çështjen ka thënë për median greke protothema.gr se; ka informacione që vajza është duke u mbajtur pa dëshirën e saj, nga dy burra. Ai nuk përjashton mundësinë, që ata të kenë bërë ndryshime në pamjen e 19-vjeçares.
“Informacioni që kemi është se ajo po mbahet nga dy burra kundër vullnetit të saj. Në fakt, ata e kanë parë atë në Volos dhe Athinë, është saktësisht e njëjta dëshmi. Pas dimensionit që ka marrë çështja, mendoj se mund të ketë pasur disa ndryshime në pamjen e 19-vjeçares, mund t’i kenë prerë flokët, mund t’i kenë vendosur paruke, nuk e di. Hetimet janë duke vazhduar dhe apeli ynë është që kushdo që di diçka, të flasë edhe në mënyrë anonime”, ka thënë Dougas.