Kryerepublikani Fatmir Mediu, ka nisur mbledhjen e 5000 firmave të domosdoshme, për t’u regjistruar si subjekt, për zgjedhjet e ardhshme.
Mediu ka vijuar prezantimin e kandidatëve në qarqe, këtë herë në Shkodër.
Mediu, ka prezantuar 16 kandidatët, ku shprehet se; Partia Republikane, është partia që beson tek prona private, si themeli i ndërtimit të ekonomisë së një vendi.
Sipas kryerepublikanit, gjendja në Shqipëri, është shumë e rëndë dhe ka vetëm një përgjegjës, që është Edi Rama dhe regjimin e tij.
“Unë dua mundësinë për të konkurruar, për të kontribuar çdo republikan, në çdo qendër votimi, nga Vermoshi e deri në Konispol, të gjithë së bashku, demokratë dhe republikanë, për të fituar. Ka shumë sot që shtrojnë pyetjen; Çfarë ka ndodhur ndërmjet nesh, Parti Republikane – Parti Demokratike? A po bëjmë Pazar? A po kërkojmë më shumë sesa na takojnë? Unë dua marrëdhënie të Partisë Republikane me Partinë Demokratike, në mënyrë që gjithsecili nga ju, qytetar i thjeshtë, republikan e demokrat, të ketë vlerë në zgjedhje. Politika jonë, regjimi që kemi përballë, manipulimi i vazhdueshëm i jetës sonë, manipulimi që Edi Rama do që t`i bëjë zgjedhjeve, kërkon që republikanë, demokratë, njerëz të ndershëm, të bashkohen në çdo qendër votimi, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne nuk mund t`a vëzhgojmë të keqen, ne duhet të përballemi me të keqen”, është shprehur Fatmir Mediu.