Taulant Balla, ka ndezur çështjen lidhur me debatet, sa i takon sjelljes së PS-PD ndaj LSI. Balla ka deklaruar se; PS dhe PD, po punojnë bashkë për të shkrirë LSI, njëkohësisht i ka kujtuar Bashës, deklaratat që kishte bërë në vitin 2017-të në të njëjtin vend.
“Në Belsh, LSI ka shkuar tashmë për skrap. Të paktën për këtë kemi punuar me Lulzim Bashën që nga 2017, për ta çuar LSI-në për skrap. Luli kur erdhi në qendër të Belshit i bëri thirrje popullit të Belshit “ta çojmë SHPK-në e Ilir Metës për skrap”. LSI-ja, siç thotë Lulzim Basha është si ajo që ngjitet pas këpucës dhe këtë e ka artikuluar më së miri Lulzim Basha me thirrjen për t’u ndarë nga fenomeni LSI”, është shprehur ai.
Gjithashtu Balla ka kujtuar edhe rastin e “21 Janarit”, i cili sot mbush 10 vjet nga ngjarja ku ka fajësuar Sali Berishën dhe Lulzim Bashën për jetët e humbura.
Ndaj Ballës, ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Bardhi shkruajti se; çdo sondazh nxjerr humbëse qeverinë e Ramës. Ai u shfaq i sigurtë se 25 prilli, do të sjellë ndryshimin ku i vetmi model që do të shkojë për skrap, do të jetë modeli i Edi Ramës dhe Taulant Ballës.
“Diversionet idiote të Taulant Ballës për Opozitën e Bashkuar kanë vetëm 1 shkak: humbjen e thellë të pushtetit të Edi Ramës më 25 prill! Çdo sondazh i nxjerr humbës, sepse çdo shqiptar e di se ata kanë vetëm 1 hall, të shtojnë pasuritë e tyre, llogaritë bankare, vilat e fshehura! Ky është modeli që do të shkojë për skrap më 25 prill. 25 do të sjellë ndryshimin! Do të jetë pjesëmarrja më e madhe në histori në votime”, është shprehur Bardhi.