Ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, ka kërkuar bashkimin e shqiptarëve kundër Edi Ramës, Lulzim Bashës e Ilir Metës. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Topalli është shprehur se; vendi ynë ka nevojë për kurajo dhe në 25 prill, qytetarët do të kenë mundësi të vendosin për këtë. Gjithashtu, Topalli tha se; largimi i Kryeministrit Edi Rama, është vetëm hapi i parë për ndryshim, por nuk është i mjaftueshëm.
“Sot ka nevojë për kurajo, përtej krizës që vendi jeton! Shqipëria me borxhin më të lartë në rajon në T III, e dhjeta në Europë. Me 25 prill qytetarët kanë mundësi të marrin një vendim të fortë, që do ketë impakt të paktën për një dekade. Borxhi do destabilizojë vendin nëse nuk ndodh një ndryshim i fortë. Largimi i Edi Ramës është vetëm një hap, por i pamjaftueshëm për të ndryshuar vendin”, ka thënë Topalli.
Sipas Topalli, duhet bërë një riciklim, sepse Shqipëri po varfërohet. Ajo ka folur edhe për raportin e Eurostat, ku u shpreh se; për nivelin e lartë të borxhit publik, Shqipëria u rendit në vend të dhjetë në Europë. Ndërsa në të gjithë rajonin, ajo mban rekord duke kaluar edhe Malin e Zi.
“Ndryshimi është riciklimi i atyre që pasurohen në mënyrë të frikshme kur gati gjysma e popullsisë jeton me më pak se 5 dollarë në ditë. Në fund të tremujorit të tretë të 2020-s, Shqipëria u rendit e dhjeta në Europë për nivelin më të lartë të borxhit publik, në raport me madhësinë e ekonomisë, sipas të dhënave të Eurostat, Komisionit Europian dhe Ministrisë së Financave. Në rajon, Shqipëria mban rekord, duke ia kaluar dhe Malit të Zi, që sipas të dhënave zyrtare nga Ministria përkatëse e Financave e kishte këtë tregues në 79.5% të PBB-së. Kosova ka nivelin më të ulët të borxhit, me 16.5% të PBB-së, e ndjekur nga Bosnjë Hercegovina, me 35.6%, Maqedonia e Veriut (42.7), Serbia (62.2%)”, tha Topalli.
Topalli thirrje shqiptarëve për ndryshim.
Ish-kryeparlamentarja u shpreh se kërkohet një vendosmëri e fortë për të zëvendësuar elitën me njerëz të cilët janë të ndershëm. Topalli përmendi 3 kryetarë duke folur për Bashën, Ramën dhe Metën. Ish-kryeparlamentarja u bëri thirrje gjithë shqiptarëve të bashkohen në 25 prill për shpresë dhe për ndryshim.