Erion Veliaj, ka folur nga Lekaj i Rrogozhinës, ku u bën thirrje qytetarëve që të bashkohen me Partinë Socialiste. Sipas Veliajt, asnjë demokrat i ndershëm, nuk mund të identifikohet më me Partinë Demokratike, ndaj shton se; e kanë të hapur derën e PS-së.
“Bujrum, të gjithë demokratët e ndershëm janë të mirëpritur në PS”, kështu është shprehur Veliaj.
“Vërtet jemi forcë e parë, por duhet të dalim mbi 50%, që edhe sikur të gjithë çakejtë dhe hienat e politikës të bëhen bashkë kundër nesh, prapë të jemi të parët. Kjo kërkon bashkimin e të gjithë socialistëve! Por, për këtë na duhen edhe të tjerët, disa shokë tanë që shkuan në drejtime të tjera, të cilët tani duhet t’i rikthejmë në shtëpi”, ka thënë Veliaj.
Gjithashtu, ai tha se; PD-ja nuk di ku ndodhet, sepse sot është e ndarë në 5 copa, ngaqë e kanë kuptuar se nuk ka të ardhme me Sali Berishën.
“Qaheshin nga Enver Hoxha! Saliu, 77 vjeç, kërkon të rikthehet për herë të tretë. Fakti që demokratët janë ndarë në 5 copa, madje ka edhe nga ata që duan të votojnë Partinë Socialiste. Çfarë janë demokratët e tjerë? Nuk janë Saliu dhe Luli. Demokratët e thjeshtë nuk u bënë me 5 vila në kohën e pandemisë, nuk shtuan pasuri në kohën të vështira. Edhe rindërtimin e bën PS-ja, edhe vaksinën e sjell PS-ja, edhe ekonominë e ngre në këmbë PS-ja, sa herë që e gjen të rrënuar,” është shprehur Veliaj.