Kryedemokrati Lulzim Basha, ka prezantuar këtë të hënë programin për mirëqenien sociale. Kryedemokrati gjatë fjalës së tij, u shpreh se; do të prezantojë një plan pune të hartuar nga ekspertët më të mirë, i cili është plotësisht i realizueshëm.
“Ne duam t’ju prezantojmë një plan pune që do ta zbatojmë, sepse është plotësisht i realizueshëm! Nuk është një plan mrekullish, por është një plan stabilizimi, normalizimi dhe rimëkëmbjeje. Një plan pune për të cilin na kanë ndihmuar specialistët dhe ekspertët më të mirë të fushës. Një plan pune që do të zbatohet nga profesionistët menjëherë pas fitores së zgjedhjeve.
Një plan pune që do ta bëjë 25 prillin ditën ku Shqipëria fiton! Me këto plane Shqipëria fiton ekonomi! Me këto plane Shqipëria fiton shëndetësinë!”, ka thënë Basha.
Pikat kryesore për planin “Shqipëria Fiton” për mirëqenien sociale:
1.“Unë angazhohem për rritjen e pensioneve për 650 000 pensionistët shqiptarë, dy herë më shumë se norma e inflacionit dhe të paktën 5% në vit! Ne nuk do t’i braktisim kurrë pensionistët tanë, që i dhanë kaq shumë vendit tonë të mrekullueshëm dhe familjeve tona.
2.Angazhohem të dyfishojmë menjëherë asistencën ekonomike për të gjitha familjet në nevojë. Nën qeverisjen tonë, askush nuk do të braktiset, shpërfillet dhe nëpërkëmbet.
3.Angazhohem që njerëzit me aftësi të kufizuara do të jenë pjesë reale e vendimmarrjes të qeverisjes tonë dhe jo thjesht përfitues pasivë apo viktima të indiferencës, përbuzjes qeveritare. Ata do të jenë pjesë e këshillimeve dhe vendimeve mbi hartimin dhe zbatimin e reformave sociale që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë.
4.Angazhohem për subvencionim të plotë të interesave për kredi për shtëpi për 20 000 familje dhe çifte të reja. Për të ardhmen tonë, për ata që kemi detyrë t’ju sigurojmë kushtet më të mira dhe mundësinë për sukses në jetë. Po ua them fare qartë, ne do të paguajmë 100%të interesave bankare, për çdo kredi që një çift i ri apo një familje e re merr për të blerë një banesë. 5000 të tilla në vit gjatë katër viteve të para, 20 000 çifte dhe familje të reja do të përfitojnë subvencionimin 100% të interesave të kredive që do të marrin për banesën e tyre.
5.Çdo familje do të përfitojë për çdo të porsalindur një pagesë mujor prej 3 mijë lekësh të reja, për 5 vitet e para të jetës“, ky ka qenë premtimi i Bashës.