Ditën e sotme, Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar një konferencë për mediat, ku ka bërë me dije se; do të rriten gjobat për të gjitha bizneset që thyejnë masat, nga java e ardhshme. Gjithashtu, kreu i qeverisë paralajmëroi se; Policia e Shtetit dhe inspektoratet, do të imponojnë me forcë respektimin e këtyre masave.
“Do të jetë Policia e Shtetit dhe inspektoratet që do ta imponojnë me forcë zbatimin e masave, si edhe me të gjitha gjobat përkatëse, të cilat do t’i rrisim. Po nënvizoj edhe një herë, duke filluar nga tregtarët duhet në asnjë mënyrë ta marrin si një mundësi për të abuzuar. Tregtarët kanë përgjegjësi të posaçme pasi kanë edhe mjediset e tyre ku ndërveprimi është më i madh i njerëzve dhe rreziku më i madh është pikërisht aty. Nëse nuk duam që të kthehemi tek masat e forta kufizuese duhet që sot të mos kërkojmë të rrezikojmë jetën e njerëzve dhe stabilitetin e sistemit tonë shëndetësor. Ne nuk duam që policia e shtetit dhe inspektoratit të hyjnë dhe të dalin nëpër lokale, bare, nëpër qendra tregtare, restorante e kështu me radhë sepse kjo nuk është në të mirë të biznesit. Për nëse nuk ka reagim patjetër do të ndodhë kështu. Policia e Shtetit dhe inspektoratet do të imponojnë.
Do të rrisim gjobat për baret, lokalet, restorantet dhe qendrat lokale dhe do të bëjmë një përshkallëzim. E kam shumë mik Ermal Mamaqin por është e pa tolerueshme që të bëhet një grumbullim i tillë, aq më të tepër kur është personazh i njohur. Është shembulli më i keq për të gjithë. E kështu me radhë lokalet në bllok, në zona të caktuara në Tiranë dhe jo vetëm, lokalet me më shumë fitime e më pak dhimbje koke të bëhen vatra infeksioni me muzikë është e patolerushme. Është një thirrje për solidaritet, për unitet, të mos hapim të çara në një situatë kur të gjithë duhet të luajë rolin e vet”, është shprehur Kryeministri Rama.