Moti i keq ka përfshirë gjithë vendin, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
Në qytetin e Beratit, disa rrugë të qytetit ndodhen nën pushtetin e ujit, ku janë mbuluar edhe trotuaret, duke shkaktuar përmbytje në disa rrugë të qytetit.
I favorizuar edhe nga era e fortë, shiu ka depërtuar në rrugë, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe të këmbësorëve. Situata më problematike, paraqitet në akset rrugore: “Spital-Uznovë”,“Stadiumi i Vjetër” dhe “Axhensi”, ku duket qartë edhe nga pamjet filmike, që uji ka vërshuar në rrugë duke mbuluar edhe trotuaret.
Rreshjet e pandërprera të shiut, kanë shkaktuar probleme edhe në bllokimin e kanalizimeve në qytet, pasi siç shihet nga pamjet dhe pusetat e ujërave të zeza, kanë dalë jashtë përdorimit, duke e nxjerrë jashtë në rrugë ujin e prurë nga rreshjet .
Kjo situatë në Berat, përsëritet sa herë që ka reshje intensive shiu dhe shkak për këtë, bëhet bllokimi i tubacioneve të ujërave të larta, të cilat bëjnë që i gjithë uji të vërshojë në çdo rrugë e lagje, të qytetit.
Tashmë në rrugë, kanë dalë tashmë edhe punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrimit në bashkinë e Beratit, të cilët po bëjnë të mundur zhbllokimin e pusetave, në mënyrë që të mundësohet edhe tërheqja e ujit nga rrugët.