Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli kërkon nga Gramoz Ruçi të marrë masa ndaj administratës së Kuvendit. Në mbledhje e konferencës së kryetarëve, Koledhi kishte një shqetësim, punonjësit e Kuvendit nuk mbajnë maska gjatë orarit të punës dhe kërkoi caktimin e një personi përgjegjës për marrjen e masave ndaj të pabindurve.
“Kam një kërkesë, një lutje, një vëzhgim lidhur me sjelljen e punonjësve të administratës së Kuvendit. Janë pothuajse të gjithë pa maska. Do t’ju lutesha Kryetar, pasi ne vazhdojmë të jemi në një situatë shumë të rënduar pandemie, që me personalitetin tuaj edhe më pozicionin tuaj të ngarkoni dikë që të mund të menaxhojë një gjë. Madje dalim keq ne që mbajmë nga dy maska dhe kërkojmë që të zbatohen rregullat”,- është shprehur Kodheli.
Kërkesa e saj nuk ra në vesh të shurdhët.Madje Gramoz Ruçi e cilësoi si të papranueshme sjelljen e stafit të Kuvendit.
“Kush neglizhon duhet të marrë masa për zbatimin e masave. Ndaj ky shqetësim është shumë i drejtë. Është hera e parë që e dëgjoj këtë histori dhe është e papranueshme dhe e patolerueshme, ndaj nuk diskutohet që do të korrigjohet menjëherë”, ka pohuar Ruçi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.
Krahas problemeve të masave antiCovid, Konferenca e Kryetarëve vendosur që seancat plenare të zhvillohen vetëm të hënave pasi deputetët kanë angazhime me fushatën zgjedhore.